Përparim Rama reagon pas përleshjeve të “Plisave” dhe “Torcidës”: Sjellje të tilla janë të papranueshme
Finalja e Superkupës së Prishtinës u zhvillua mbrëmë në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, teksa u fitua nga kryeqytetasit me rezultatin 73:54 ndaj skuadrës mitrovicase.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar sot për përleshjet që pati në mes të tifozëve të Plisave, të Prishtinës dhe Torcida të Trepçës së Mitrovicës.
Në një status të shkruar sot në mëngjes Rama ka thënë se dhuna e shkaktuar në këtë ndeshje ishte plotësisht e panevojshme.
“Dhuna e shfaqur mbrëmë në ndeshjen KB Prishtina – KB Trepça është e papranueshme dhe nuk ka vend në kryeqytet, e askund tjetër!”, ka shkruar fillimisht Rama në statusin e tij.
“Jemi të lumtur që KB Prishtina fitoi superkupën mbrëmë, mirëpo nga dhuna e shfaqur u zbeh edhe gëzimi për fitoren e merituar. Sporti ka të bëjë me shpirtin garues në frymë tolerance e respekti reciprok, prandaj u bëj thirrje edhe tifozëve që ta kultivojnë një frymë të tillë”.
Kujtojmë së përplasja në mes të dy tifozërive ndodhi në pushim të pjesës së parë, derisa u desh të intervenojnë edhe Policia e Kosovës.
Pos të lënduarve pati edhe policë të Kosovës që u lënduan.
Sipas asaj që ka thënë mbrëmë zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti edhe katër policë janë lënduar.
“Sot rreth orës 18:00, në Pallatin e Rinisë, gjatë një ndeshje basketbolli, ka ndodhë një incident, ku tifozët duke dëmtuar sallën, janë gjuajtur mes vete me mjete të forta, me ç ‘ rast kanë lënduar 4 zyrtarë policor, të cilët ishin në detyrë, të angazhuar për menaxhimin e situatës. Nga ana e tifozëve, deri tani nuk është raportuar për ndonjë të lënduar”, tha Ahmeti