Trajneri i njohur kosovar për dënimin e FIFA-s dhënë Serbisë: Nuk është dënim i merituar, Serbia duhej të dënohej njëherë e mirë që të mos i përsërisë më këto sjellje

Trajneri i njohur kosovar për dënimin e FIFA-s dhënë Serbisë: Nuk është dënim i merituar, Serbia duhej të dënohej njëherë e mirë që të mos i përsërisë më këto sjellje

Sot dhe zyrtarisht FIFA ka publikuar edhe dënimet që ka dhënë për Kombëtaret që përcollën tek publiku racizëm dhe skena të tjera fyese.

Kështu, komisioni disiplinor i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) gjobiti Serbinë me 20 mijë franga zvicerane për shkelje të nenit 11 të Kodit Disiplinor të FIFA-s dhe nenit 4 të Rregullores së Kupës së Botës FIFA 2022 në lidhje me flamurin skandaloz të shfaqur në dhomën e zhveshjes, shkruan Periskopi.

Kjo gjë ndodhi në takimin e parë ndaj Brazilit, duke qenë një nga veprimet më skandaloze që ndonjë kombëtare ka bërë në dhomën e zhveshjes.

Ky dënim i FIFA-s vlen vetëm për shkak të flamurit skandaloz të Serbisë të shfaqur në dhomat e zhveshjes.

Ndërkaq, Federata e Kroacisë është dënuar nga FIFA me 50 mijë franga për thirrje të tifozëve në ndeshjen ndaj Kanadasë, thirrje këto drejtuar portierit të Kanadasë me nacionalitet serb, Milan Borjan.

Por, si po e vlerësojnë trajnerët dhe analistët e futbollit në vendin tonë dënimin e FIFA-s për Serbinë në lidhje me Kosovën dhe pse duhet Kroacia të gjobitet më shumë kur bëhet fjalë për një individ të vetëm me prejardhje serbe.

Periskopi ka biseduar me trajnerin kosovar, Genc Sermaxhaj ku tha se FIFA nuk e ka dhënë dënimin e merituar për Serbinë në rastin e Kosovës që në hartën e flamurit e ka paraqitur si pjesë të saj.

“Dënimi me 20 mijë euro i FIFA-s ndaj Kombëtares serbe, nuk është dënim i merituar. As më parë e as tani FIFA nuk i jep një dënim Serbisë që ajo më pastaj të mendoj mirë për veprimet që mund t’i bëj. Ngjashëm si me politikën, edhe FIFA bëri ledhatimin e rradhës Serbisë me këtë dënim simbolik. Dhe me të tilla dënime Serbia mund të vazhdoj po njësoj me veprime të tilla poshtëruese për Kosovën. Dhe nëse FIFA vazhdon që sjelljet e turpshme të serbëve i tejkalon me dënime simbolike, ky vend do të vazhdoj t’a njëllos vendin tonë në ngjarje të tilla të mëdha evropiane e botërore në futboll”, tha fillimisht Sermaxhaj.

Gjithashtu, tekniku kosovar tha nëse krahasohet dënimi që i është bërë Serbisë dhe Kroacisë nga FIFA nuk është aspak i drejtë, madje ky dënim kaq i vogël i jep mundësi sërish shteti serb të bëjë veprime të tilla në raport me Kosovën.

“FIFA po vepron si politika që dikë të trajtoj më embël e dikë me vrazhdë. Kjo u vërejt edhe më parë kur një fyerje në kor e tifozëve kroatë në drejtim të portjerit u dënua me 50 milionë euro, ndërsa sjelljet e turpshme serbe në zhveshtore që përfshiu tërë Kosovën, u dënua me 20 euro. Mendoj që Serbia duhej të dënohej njëherë e mirë që të mos i përsërisë më këto fyerje e sjellje ndaj nesh, përndryshe ajo nuk do të ndalet asnjëherë”, tha ai.

Kujtojmë se përveç Serbisë dhe Kroacisë dhe arabia Saudite u dënua nga FIFA me 30,000 franga zvicerane (32,000 dollarë) për “sjellje të pahijshme të ekipit” pasi mori gjashtë kartonë të verdhë në ndeshjet kundër Argjentinës dhe Meksikës./Periskopi/

Shpërndaje në: