Ronaldo probleme edhe me kapin e Portugalisë – Nuk pranon të stërvitet me skuadrën e rezervave

Ronaldo probleme edhe me kapin e Portugalisë – Nuk pranon të stërvitet me skuadrën e rezervave

Ky sezon aktual duket se po rezulton shumë problematik për Cristiano Ronaldon.

Sulmuesi portugez po reflekton problemet e Manchester United edhe në kombëtaren e Portugalisë. Gjithçka nisi në sfidën ndaj Koresë së Jugut me CR7 që nuk e priti mirë zëvendësimin nga ana e trajnerit Fernando Santos ndërsa nga ana tjetër, tekniku e uli në stol për sfidën e 1/8-tave ndaj Zvicrës, aty ku luzitanët shkëlqyen me një triumf të thellë 6-1.

Pas sfidës me “Helvetët”, Santos theksoi se Ronaldo e pranoi stolin. Gjithsesi, sjellja e sulmuesit lë “hije dyshimi”, pasi në ditën e sotme, Ronaldo nuk ka pranuar të stërvitet me ekipin e rezervave që zbritën në fushë për të marrë ngarkesë të plotë ndryshe nga futbollistët që luajtën një ditë më parë.

37-vjeçari, vendosi të stërvitej në palestër aty ku ishte edhe pjesa tjetër e skuadrës titullare, ndoshta si një mesazh që të gjithë ta kuptojnë se stoli nuk është më një opsion për të dhe se ai e konsideron veten një lojtar startues. Sfida e radhës për Portugalinë është ajo ndaj Marokut, që në rast suksesi garanton një biletë për në gjysmëfinalen e Kupës së Botës ndërsa trajneri Santos ndjen presionin e përzgjedhjes 11-tëshes titullare.

Shpërndaje në: