Vdekja e Artanit në burg, familjarët shkuan ta marrin kufomën por kthehen prapa nga Serbia
Para pak ditësh, Periskopi kishte mësuar për vdekjen e një kosovari me nënshtetësi norvegjeze në një burg në Serbi. Periskopi, pati kontaktuar familjen e djalit që dyshohet se ka vdekur në burg atje, por meqë lajmin nuk mund ta konfirmonim madje as nga vetë familjarët, në ato ditë, nuk e plasuam informatën. Por, tani familja Zymberi nga Peja, thotë se ‘djali i tyre ka vdekur në burg, në Serbi’.
Periskopi sërish ka biseduar me axhën e të ndjeri, Nexhat Zymberi ku i thanë se prindërit e Artanit janë nisur për në Beograd për të marrur kufomën, mirëpo janë kthyer mbrapsht nga policia serbe, për shkak të mungesës së një dokumenti. E kjo sipas Zymberit, ka ndodhur për shkak se kanë qenë të hutuar familja për shkak të rastit dhe se janë mësuar të udhëtojnë gjithmonë vetëm me letërnjoftim, shkruan Periskopi.
“Po është e vërtetë, janë nisur e janë kthyer, për shkak se u kanë munguar disa dokumente të udhëtimit, e kjo ka ndodhur sipas tyre për shkak se kanë qenë të hutuar për shkak të rastit, dhe se janë mësuar të udhëtojnë gjithmonë vetëm me letërnjoftim”, tha axha i të ndjerit.
Zymberi i tha Periskopit se prindërit kishin qenë përgjatë këtij viti vetëm njëherë në vizitë dhe se kur e kanë takuar të ndjerin kanë vërejtur disa shenja të maltretimit, dhe se i ndjeri nuk ka folur asgjë.
Zymberi i tha Periskopit se po presin të marrin kufomën dhe ti bëhet autopsia në Norvegji.
“Aq sa di unë, familjarët kanë qenë krejt njëherë për vizitë në burg tek ai, dhe se atëherë kur kanë qenë, kane vërejtur disa shenja të maltretimit tek Artani, por që siç më kanë treguar, Artani ka qenë i heshtur dhe nuk ka guxuar të flasë. Për këtë arsye edhe kemi kërkuar që pjesën e burgimit të mbetur ta kaloj në Norvegji”, tha Zymberi për Periskopin
Kujtojmë se deri më tani ende nuk ka informacione se cilat janë shkaqet e vdekjes së 28 vjeqarit, Artan Zymberi nga Peja me nënshtetësi norvegjeze.