Kah po shkon, moj Zanë?
(Shkruan: Dafina Demaku)
Zana Avdiu mund ta ketë interpretuar kritikën e saj ndaj gjestit të Granit Xhakës, jo si duhej, prandaj u keqinterpretua, por linçimet masive ndaj saj, tregojnë se jemi shoqëri e dhunës, për dhunën.
Është jashtëzakonisht interesant fakti, që sa herë përballen në futboll Serbia dhe Zvicra, shumë prej nesh ose secili, e përjetojmë si një ndeshje midis Kosovës dhe Serbisë. Prania e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit aty – mbështjellur me përkatësinë e tyre etnike, na shtynë ta shikojmë një lojë futbolli përgjatë gjithë Botërorit, edhe njerëzit si unë, që nuk këqyrin futboll shpesh. Dhe kur triumfon Zvicra, pavarësisht gjendjes llugë në kombëtaret tona të futbollit (Shqipëri, Kosovë), përjetojmë një ndjenjë gëzimi, krenarie që na shtynë deri te ‘shllajfat’ nëpër qytet.
Mirëpo, lëmë anash gjithçka që ndodhi atë natë dhe kthehemi se çka ndodhi mbrëmë.
**Aktivistja Zana Avdiu, nëpërmjet një mesazhi në Facebok, kritikoi Granit Xhakën për veprimin e ‘prekjes së organit gjenital’ – një gjest drejtuar pankinës serbe gjatë ndeshjes Zvicër – Serbi.
Secili prej nesh, pavarësisht vajzë apo djalë, nuk është se kur e shohim një akt të tillë, është diçka që na pëlqen 😊. Pra, nuk është një akt që mund ta interpretojmë si ‘emancipues’. Por, akti i Xhakës atë natë, arsyetohet me ngarkesën tonë nacionaliste (ose qe më butë: historia jonë) dhe rrethanat e asaj loje: që Xhaka u përball me ofendime, sulme fizike, etj. Pavarësisht kësaj, të gjitha këto, nuk janë ende arsyetime të një akti të tillë, por megjithatë, e pranuam si një ‘akt në afekt’ që secili e kishim bërë (sic.)
Gabimi i Zanës në reagim, ishte se nuk e ndan ‘aktin rrugaç’ prej ‘aktit nga një rrugaç’. Për interpretimin e Zanës se ishte ‘sulm seksual’, nuk pajtohem, por kjo nuk nënkupton se nuk jam e gatshme t’ia dëgjoj argumentet e kundërta.
Për ekzaltimin masiv të shoqërisë tonë, ndaj një fotografie me përmbajtje të tillë, pajtohem me Zanën.
Kthehemi të ‘rrugaçëria’.
Diskursi i ‘akteve rrugaçe’ nuk është i panjohur në shoqërinë tonë.
Vetë personi që sot është kryeministër i Kosovës, z.Albin Kurti, është kritikuar shpesh për ‘akte rrugaçërie’ sa ishte në opozitë (gazi lotsjellës, sulmi ndaj institucioneve’. Por, ata deputetë që kanë kritikuar Kurtin për ‘akte rrugaçërie’, nuk janë përballur me këso linçimi masiv nga shoqëria. Pra, ‘rrugaçi’ është i normalizuar në diskursin tonë shoqërorë. E dëgjojmë tepër shpesh, thuajse në çdo të dytën seancë të Kuvendit të Kosovës.
Prandaj, janë deri në absurditet të frikshme, linçimet masive ndaj Zana Avdiut sot.
Një shoqëri që mendon me gjakun e ftohtë, do të mund t’i shkruante Zanës se ‘pse mendon ndryshe nga ajo’, por një shoqëri që para katër ditësh kërkonte drejtësi për vrasjen e Hamide Magashit dhe sot kërcënon Zanën me analogjinë e kësaj vrasjeje, është e frikshme.
Cila është kjo shoqëri, që para pak ditësh – të gëzonte me faktin se masivisht kërkonte drejtësi për Hamidn, ndërkaq sot, me huliganizëm të pashoq, ia mësynë Zanës me kërcënime për vrasje? Pra, cila është e vërteta? Ajo e para katër ditësh, apo kjo e sotmja? E kësaj të hëne?