Flet tifozja shqiptare që bëri shqiponjën në sy të serbëve: Isha e gatshme të vdisja

Flet tifozja shqiptare që bëri shqiponjën në sy të serbëve: Isha e gatshme të vdisja

Tifozja më e përfolur në ndeshjen Zvicër – Serbi, Anila Mahalla, në një intervistë për Klan Kosovën ka treguar detajet kur ajo e bëri shqiponjën në shkallët e stadiumit gjatë ndeshjes.

Ajo tha se në hyrje të stadiumit nuk lejohej flamuri i Kosovës e as ai i Shqipërisë, e siç tha ajo, me vete i kishte të dy.

“Me vete i kisha të dy. Të Shqipërisë e panë dhe ma morën, por të Kosovës e kisha fshehur në krah të jaknës dhe nuk arritën ta shohin”.

“Në momentin që kam hyrë ka qenë ora 22 (koha lokale në Katar, +2 orë nga koha lokale në Kosovë), jam ulur dhe kam nisur ta shoh ndeshjen dhe ai ka qenë momenti kur Shaqiri e shënoi golin e parë dhe e nxora flamurin dhe s’kisha zë për të festuar, isha shumë e lumtur”, është shprehur Mahalla në “Botërori Special” në Klan Kosova.

Mahalla tutje tha se kur pa anash saj, e kuptoi se ishte në mesin e fansave serbë të cilët, tha ajo, e ofenduan atë, por shtoi se festën nuk e ndali për asnjë moment.

“Ata e thirrën sigurimin për të ma marrë flamurin, atyre iu thash që nuk ka shanse që ta merrni flamurin. Ata nuk u ndalshin (duke kërkuar) prej meje që unë të largohem prej pjesës ku isha”, është shprehur Mahalla.

Ajo më tej tha se nuk është ndier e frikësuar për asnjë moment. Bile ajo tha se “pa menduar dy herë kisha vdekur duke e bërë shqiponjën, por me u frikësu, asnjëherë”.

“Erdhi goli i dytë dhe unë po e nxjerr flamurin dhe po festoj, dhe ata erdhën dhe më larguan pasi sipas tyre krijoja situata tensioni në stadium. Unë iu thash që flamurin s’mund ta merrni”, tha Mahalla.

Tifozja e flaktë tha se në këtë moment vendosi të largohej nga ajo pjesë, ku tha se ka pritur që të sulmohet nga tifozët serbë.

“Vendosa të largohesha nga ajo pjesë. Në atë moment kam pritur që dikush të vijë të më sulmoj, por jam çuar dhe kam vazhduar ta bëj rrugën time dhe ta bëj shqiponjën”, tha Mahalla.

Tifozja më e famshme në këtë ndeshje, tha se ka marrë shumë mesazhe ofenduese pas lojës, teksa tregoi se ajo është rritur nga një familje patriotike në qytetin e Ferizajt.

“Jetoj në Katar që tri vite, jam nga Ferizaj. Unë jam rritë në një familje patriotike, ku gjyshi im ka qenë ish i burgosur politik në Jugosllavi dhe jam rritë në frymën e flamurit”, deklaroi Anila Mahalla.

VIDEO

Shpërndaje në: