Marrëveshja finale e dialogut Kosovë-Serbi, me njohje apo me Asociacion?
Për më shumë se një dekadë, Kosova dhe Serbia dialogojnë mes vete. Me kryenegociatorë e ndërmjetësues të ndryshëm, ndër vite janë arritur një sërë marrëveshjesh në shumë fusha, një pjesë e të cilave kanë gjetur zbatim e të tjera janë zbatuar pjesërisht ose fare.
Ecuria e këtij procesi ka qenë e ngathët, kurse palët përtej marrëveshjeve për çështje më teknike, s’kanë treguar interes të madh që të gjejnë gjuhën e përbashkët për një marrëveshje finale të natyrës politike. Ndërkohë, edhe marrëveshjet që janë arritur, janë kritikuar e kundërshtuar edhe në Kosovë edhe në Serbi, veçanërisht nga forcat politike më ekstreme në vendet respektive. Diskursi i tyre ka qenë me përmbajtje edhe akuzuese ndaj negociatorëve për tradhëti kombëtare dhe me interpretime se pala e shtetit të tyre është dorëzuar kundruall palës tjetër.
Në Kosovë, veçanërisht diskutim ka sjellë Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, e nënshkruar në vitin 2013. Opozita e asaj kohe e cilësonte rezultatin e kësaj marrëveshjeje si fatal për Kosovën, derisa kundërshtimi ndaj saj u bë edhe me mekanizma institucionalë, por edhe me me mjete të tjera, që shkonin deri në rezistencë të dhunshme. Kjo e fundit erdhi në pah sidomos kur Gjykata Kushtetuese kishte dalë me përfundimet se disa nga pikat e marrëveshjes për Asociacionin nuk ishin në harmoni me Kushtetutën.
Pavarësisht kësaj dhe faktit tjetër që dialogu ngeci për një kohë, derisa Kosova dhe Serbia kishin duket se pajtoheshin me atë “status quo”, ndërmjetësuesit ndërkombëtar ishin të interesuar për ta rritur dinamikën e procesit dhe kishin synim arritjen e marrëveshjes finale. Një frymë e tillë mori hov sidomos në vitin 2020, kur sllovaku Miroslav Lajçak nisi mandatin si emisar i poasaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi. Ky i fundit ishte jashtëzakonisht optimist për rezultate të shpejta.
Megjithatë, dy vite më pas, progresi është i vogël, rezultat ky për të cilin ka arsye. Gjatë këtyre dy viteve, në shtetin kosovar, erdhi në qeverisje një parti politike dhe kryeministër që kanë historikun e tyre të mbushur me kundërshti ndaj negociatave mes Kosovës e Serbisë. Madje, pa ardhur në krye të qeverisë, por edhe kur ishte zgjedhur si i pari i ekzekutivit kosovar, kryeministri Albin Kurti kishte thënë fillimisht që s’do të bëhej pjesë e këtij procesi, e pastaj që nuk e kishte dialogun në mesin e prioriteteve të para. Tutje, i pari i ekzekutivit kosovar modofikoi qëndrimin duke shtuar se do të përfshihej vetëm në një dialog që ka njohjen e Kosovën nga Serbia në qendër. Ndërsa, interesim për ta rritur intensitetin e dialogut nuk shfaqte as pala serbe, gjersa qëndrimet në raport me Kosovën (sidomos sa i përket njohjes) nga ana e saj nuk kishin pësuar as lëvizje milimetrike.
Por, ajo që vlen të theksohet është se këto arritje të vogla në proces erdhën në masë të madhe si rezultat i një presioni të vazhdueshëm nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borell, dhe i dërguari i posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak. Dyshja e unionit në vazhdimësi kanë bërë presion deri në qortim ndaj palës kosovare për t’u kthyer në dialog dhe për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura më herët. Ngjashëm presioni është adresuar edhe ndaj Serbisë që të tregohet konstruktive në këtë proces, duke ua kushtëzuar vazhdimisht dialogun me avancimin në rrugën drejt BE-së.
Takimet me ndërmjetësimin nga Borelli dhe Lajçaku mes kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksander Vuçiq, por edhe ato të nivelit të kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, prodhuan rezultat sa i përket zbatimit të disa marrëveshjeve të mëhershme. Jehonën kryesore e pati marrëveshja për energjinë dhe ajo e fundit, për targat, e cila në Kosovë nxiti edhe tensione mes pakicës serbe që jetojnë në katër komunat veriore të Kosovës.
E në marrëveshjen e nënshkruar për targat së fundi në Bruksel, brenda saj ndodhej edhe një fjali e cila është mjaft domethënëse për rrjedhën e mëtejme të dialogut. Aty specifikohet decidivisht se palët do të kenë obligim zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme, ku natyrisht përfshihet edhe ajo e 2013-së, për Asociacionin. E, pikërisht për këtë marrëveshje të para 9 viteve, në mënyrë konkrete është bërë thirrje dhjetëra herë nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë që të zbatohet në përpikmëri.
Një hap i tillë duket se i ka dhënë një kahje dialogut. Situata në këtë proces nuk është në udhëkryqin e njëjtë me dy rrugë, ku njëra synonte një dialog me njohje në qendër e që do të mund të rezultonte me zvarritje të procesit; dhe, tjetra, kërkonte proces të dialogut ku në qendër ka diskutimin dhe themelimin e Asocacionit, që më tej t’i hapej rruga “vendimeve të mëdha” apo marrëveshjes finale. Marrë parasysh qëndrimet e palës kosovare për Asociacionin, ky veprim nga ana e tyre nënkupton lëshim pe.
Ndodhur në këtë situatë, ajo që duhet të shtrohet është se cila është marrëveshja finale? Një gjë e tillë mbetet e paqartë që nga nisja e dialogut mes dy shtetve. Deri më tani asnjëherë nuk është treguar se cilat janë “vendimet e rënda”. Këtë nuk e ka bërë as pala kosovare, as ajo serbe, e hiç se hiç ndërkombëtarët. Nga këta të fundit tashmë ka një propozim, produkt i Francës dhe Gjermanisë, i njohur si propozimi franko-gjerman.
Megjithatë është vështirë të thuhet se përmes propozimit franko-gjerman mund të arrihet eiplogu i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Së pari, në dokument i tillë fillimisht në publik doli përmes mediave, gjë që është kontestues për seriozitetin e tij. Së dyti, i njëjti u interpretua në forma të ndryshme dhe përmbajtja e tij ende nuk është e qartë. Së treti, nuk duket se palët kanë qëndrime të njëjta karshi tij. Dhe së katërti, nga aq sa dihet për të, nuk duket se ai sjell normalizim përfundimtar në marrëdhëniet kosovaro-serbe.
Si përfundim, prioritet në këtë dialog rezulton të jetë formimi i Asociacionit, kurse përmes propozimit franko-gjerman duket që edhe për një kohë të pacaktuar do të shtyhet ajo që quhet marrëveshje finale, e që do të mund të ishte njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. /Zelfije Zeneli – Studente në Fakultetin e Gazetarisë/