Katari eliminohet nga Kupa e Botës
Senegali merr fitoren e parë në Kupën e Botës dhe eliminon vendin organizator nga Kupa e Botës. Skuadra afrikane fitoi 3-1 ndaj Katarit, një ndeshje të cilën do ta dominonte.
Rezultati do të zhbllokohej vetëm në fundin e pjesës së parë. Në minutën e 41-të, Boulaye Dia përfiton nga një gabim i mbrojtjes së Katarit për ta dërguar topin në rrjetë me një goditje të fortë në hyrje të zonës.
Ky gol i dha “zemër” Senegalit, që do të gjente një tjetër gol në minutën e 48-të. Famara Diedhiou shfrytëzon më së miri një krosim në zonë, duke e dërguar topin në rrjetë pas një super goditje të saktë me kokë.
Katari do të reagonte duke gjetur golin e parë në Kupën e Botës. Skuadra vendase ka rihapur ndeshjen në minutën e 78-të. Mohammed Muntari shënoi një gol shumë të bukur me kokë pas një krosimi që mori nga krahu i djathtë.
Gjithsesi shpresat e tyre do të zgjasin shumë pak pasi 6 minuta nga fundi i kohës së rregullt, Bamba Dieng shënoi dhe golin e tretë për Senegalin. Me këtë humbje Katari është zyrtarisht ekipi i parë i eliminuar nga Kupa e Botës.