Ia theu telefonin tifozit, Ronaldo dënohet me dy ndeshje moslojë e 50 mijë funta gjobë

Ia theu telefonin tifozit, Ronaldo dënohet me dy ndeshje moslojë e 50 mijë funta gjobë

Cristiano Ronaldos nuk i sosen telashet në Angli.

Federate e këtushme e futbollit e dënoi portugezin me 2 ndeshje moslojë dhe 50 mijë funte gjobë, për shkak se ia kishte dëmtuar telefonin një tifozi të Evertonit, sezonin e kaluar.

Ronaldo, që një ditë më parë prishi kontratën me Manchester United, do ta vuajë ndëshkimin, kahdo që do të luajë në të ardhmen, qoftë edhe jashtë Anglisë.

FA e kishte “akuzuar” Ronaldon për incidentin në fjalë qysh në shtator, me pretendimin se ai shkeli rregullin E3 të statutit të kësaj federate. Ai ishte marrë në pyetje për këtë rast edhe nga policia, ndërsa mori një vërejtje në gusht.

Ronaldo e ka pranuar vendimin, ani se më parë ishte raportuar se mund ta apelojë atë, shkruan Klankosova.tv.

“Sulmuesi e ka pranuar që sjellja e tij, pas fishkëllimës finale të ndeshjes së Premier Ligës ndërmjet Manchester United dhe Everton, më 9 prill 2022, ishte jo e duhur”, thuhet në njoftimin e FA.

Të martën Ronaldo dhe United arritën marrëveshje të ndërsjellë për shkëputjen e kontratës. Sulmuesi bëri akuza të rënda në adresë të klubit, javën e kaluar, në një intervistë të shumëkomentuar, duke thënë se Manchester nuk është më klubi që ka qenë dikur.

Shpërndaje në: