Mediumi serb: Vuçiq pranon ftesën e BE-së për takim me Kurtin
Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, sot njoftoi se kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë ftuar për një takim “urgjent” në Bruksel para datës 21 nëntor, kur edhe përfundon afati i qortimeve ndaj qytetarëve serbë që ngasin vetura me targa KM.
Nga Qeveria e Kosovës nuk kanë treguar nëse është pranuar ftesa e BE-së, duke thënë thjesht se “do ju informojmë më vonë”.
Ndërkaq, mediat në Serbi kanë thënë se Vuçiqi e ka pranuar ftesën e BE-së, dhe se do të takohet me Kurtin në Bruksel të dielën ose të hënën e 21 nëntorit, në ditën kur nis gjobitja e shoferëve me targa ilegale KM.
“Novosti” ka thënë tutje se “takimi do të organizohet të dielën mbrëma ose të hënën në mëngjes, dhe tema do të jetë tensioni i fundit në Kosovë” i shkaktuar nga “veprimet e njëanshme të qeverisë Kurti”.
Zgjidhjen e këtij ngërçi e ka paralajmëruar edhe kryeministri Albin Kurti gjatë ditës së sotme në Estoni, duke thënë se janë duke u zhvilluar negociata për këtë çështje.
Mimoza Kusari-Lila, deputete e LVV-së, tha sot se zgjidhja e çështjes së targave “është çështje orësh”