Kosova barazon me Armeninë në “Fadil Vokrri”
Kombëtarja e Kosovës ka barazuar në ndeshjen e parë miqësore të nëntorit.
Të përzgjedhurit e Alain Giresse luajtën baras sonte me Armeninë.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” u mbyll me rezultatin 2:2.
Mysafirët kaluan të parët në epërsi në minutën e 24-të, me golin e shënuar nga Zhirayr Shaghoyan.
Futbollistët tanë barazuan shifrat në minutën e 67-të, pasi Lirim Kastrati u tregua i saktë nga pika e penalltisë.
Armenët rikthyen epërsinë në minutën 82-të, kur shënoi Hovhannes Harutyunyan.
Derisa ndeshja po shkonte drejt fundit, në skenë u shfaq Donat Rrudhani, i cili shënoi në minutën e tretë shtesë (90+3’) për rezultatin përfundimtar 2:2.
Kosova pas tri ditësh do të zhvillojë miqësoren e dytë, kundër Ishujve Faroe, që do të jetë edhe e fundit për “Dardanët” për këtë vit.
Edhe kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.