Pyetja që tundon çdo grua kur bën testin e shtatzënisë, ç’do të thotë kur vija e dytë është e zbehtë?
Një test shtatzënie mund t’uu dhurojë femrave dy nga ndjesitë më të forta që mund të përjetojnë ndonjëherë: lajmin e një shtatzënie shumë të dëshiruar ose të kundërtën. Sido qofshin pritshmëritë tuaja nga një test, informacionet e mëposhtme duhet t’i dijë çdo grua. Testi i shtatzanisë në disa raste mund të shfaqë menjëherë një rezultat të dukshëm, pra të arrijmë të shohim dy vija me ngjyrë të theksuar, dhe në disa raste nuk ndodh kështu. Ndodh që gruaja të jetë konfuze në momentin që në test shikon një vijë të kuqe dhe një tjetër të zbehtë.
Është e mundur që të kemi të bëjmë me një shtatzani në këtë rast?
Po, është e mundur. Pra edhe nëse vija e dytë nuk është e theksuar mund të keni një bebe brenda trupit tuaj. Normalisht vija e parë që do të shfaqet do të jetë shumë e dukshme dhe e theksuar, dhe zakonisht e dyta shfaqet shumë e zbehtë sepse mund të ndodhë që të jeni në fillimet e hershme të shtatzënisë dhe për pasojë niveli i hormonit beta hCG të jetë shumë i ulët. Nëse do të provoni sërish pas disa ditës (zakonisht këshillohet pas 7-10 ditësh) mund të shikoni në test dy vija shumë të theksuara.
Po nëse vija është gati e padukshme?
Në këtë rast do të jetë shumë herët për të përcaktuar me anën e një testi nëse jeni apo jo shtatzënë, dhe duhet të prisni datën e ciklit për të parë nëse do të keni një mungesë apo jo. Gjithsesi, një përcaktim më të sigurt e bën analiza e gjakut, edhe në fazat e hershme të shtatzënisë. Prisni për të bërë testin derisa të kalojë data e ciklit me 4-5 ditë apo më shumë. Në këtë rast do të jeni në gjendje të merrni një përgjigje më të qartë dhe më të sigurt.