“Më quajtën majmun” – Mbappe e pranon se kishte menduar largimin nga Kombëtarja e Francës

“Më quajtën majmun” – Mbappe e pranon se kishte menduar largimin nga Kombëtarja e Francës

Në intervistën e tij si ylli i fundit i kopertinës për “Sports Illustrated”, Kylian Mbappe konfirmoi se po mendonte të largohej nga Kombëtarja e Francës.

Sulmuesi i Paris Saint-Germainit e mendoj largimin për shkak se po përballej me fyerje raciste.

Mbappe shpjegoi se ai pati një takim të shkurtër me presidentin e Federatës së Futbollit të Francës, Noël Le Graët, pas Kampionatit Evropian “Euro 2020”, në të cilin humbi penalltinë vendimtare në ndeshjen kundër Zvicrës, në të cilën francezët u eliminuan.

“Për njerëzit që mendojnë se jam majmun. Unë nuk do të luaj”, ishte mendimi që po e shtynte 23-vjeçarin drejt largimit.

Megjithatë, ai thotë se pas diskutimit me njerëzit rreth tij, ai vendosi se “dorëheqja” nuk ishte mesazhi i duhur për t’u dhënë.

“Mendoj se jam shembull për të gjithë. Kjo është Franca e re… Prandaj nuk hoqa dorë nga kombëtarja. Sepse është një mesazh për brezin e ri se ‘ne jemi më të fortë se kaq’”, deklaroi Mbappe.

Kylian Mbappe me Francën do të synojë mbrojtjen e titullit të kampionit të botës, në Kupën e Botës “Katar 2022” që fillon më 20 nëntor.

Shpërndaje në: