Kush është lojtari që ëndërronte ta përfaqësonte Shqipërinë, tani e refuzon ftesën e Kombëtares?
Andreas Ndoj refuzon Kombëtaren e Shqipërisë. Futbollisti i Olympiakos ka vendosur që të mos bashkohet me skuadrën kuqezi, teksa i është përgjigjur negativisht ftesës së trajnerit Edoardo Reja për dy ndeshjet miqësore ndaj Italisë dhe Armenisë.
Mesfushori 19-vjeçar ka njoftuar Federatën Shqiptare të Futbollit për zgjedhjen e tij, duke deklaruar se vendimi përfundimtar është që të jetë pjesë e përfaqësueses greke.
Ndoj ishte pjesë e skuadrës së 21-vjeçarëve në dy ndeshjet miqësore që u luajtën muajin e shkuar, ku edhe u aktivizua, megjithatë, tani situata ka ndryshuar, teksa vetë lojtari ka vendosur që të përfaqësojë Greqinë dhe jo Shqipërinë.
Federata Shqiptare e Futbollit iu drejtua fillimisht homologëve në Greqi për të konfirmuar se Ndoj nuk ka luajtur me ekipin e parë të helenëve, çka i krijojnë kushtet për t’u bashkuar me skuadrën kuqezi, shkresë që daton në 15 tetor dhe gjashtë ditë më vonë federata greke vuri në dijeni me një shkresë zyrtare, ndeshjet e moshave ku 19-vjeçari ishte aktivizuar.