Neuer: Jam diagnostikuar me kancer të lëkurës në fytyrë
Portieri i Bayern Munichut, Manuel Neuer, ka zbuluar se është diagnostikuar me kancer të lëkurës në fytyrë, për të cilin i është nënshtruar tre operacioneve.
Reprezentuesi gjerman ka folur për problemet e tij mjekësore pasi lansoi një produkt të ri për kujdesin e lëkurës me yllin e tenisit Angelique Kerber.
“Ne të dy kemi një histori shumë personale kur bëhet fjalë për sëmundjet e lëkurës. Angelique ka hiperpigmentim [një gjendje e zakonshme që i bën disa zona të lëkurës më të errëta se të tjerat] të shkaktuar nga dielli dhe në rastin tim kancer të lëkurës në fytyrë, për të cilën më është dashur të operohem tre herë”, ka thënë ai në një deklaratë për shtyp.
“Kjo është arsyeja pse ne i kemi kushtuar vëmendje të veçantë garantimit që të mos bëjmë më asnjë kompromis kur bëhet fjalë për mbrojtjen nga dielli: sepse stërvitem jashtë gjatë gjithë kohës dhe gjithashtu më pëlqen ta kaloj kohën time të lirë në natyrë”.
Neuer do të rikthehet për Bayernin pasi mbeti jashtë fushave për shkak të një dëmtimi në shpatull që nga barazimi me Dortmundin në Bundesligë në fillim të tetorit.
Tifozët e Gjermanisë kishin frikë se portieri numër një i tyre mund të ishte në dyshim për Kupën e Botës në Katar, e cila fillon më vonë këtë muaj, por trajneri i Bayernit, Julian Nagelsmann ka konfirmuar se ai mund të luajë kundër Hertha Berlin të shtunën.