Uellsi po mendon ndryshimin e emrit pas Botërorit të Katarit
Uellsi po shqyrton ndryshimin e emrit pas Kampionatit Botëror “Katar 2022” dhe tashmë ka zhvilluar diskutime me UEFA-n.
Kombëtrja uellsiane është shortuar në Grupin B, bashkë me Anglinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iranin.
Por, mund të jetë hera e fundit që i shohim në skenën ndërkombëtare me këtë emër.
Sipas “Daily Mail”, Uellsi po shqyrton mundësinë që të quhet “Cymru” globalisht.
Cymru është emri Uellsit që përdoret gjerësisht në vend dhe në selinë e futbollit të këtij vendi gjithashtu, por Uells është emri i përdorur nga pjesa tjetër e botës.
Një vendim nuk do të merret pa u konsultuar, teksa janë zhvilluar diskutimet e para joformale me UEFA-n mbi këtë ndryshim.
“Ekipi duhet të quhet gjithmonë Cymru, kështu e quajmë ne këtu”, tha shefi ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Uellsit, Noel Mooney.
“Pikëpamja jonë për momentin është se brenda vendit ne quhemi qartë Cymru. Kështu i quajmë ekipet tona kombëtare. Nëse shikoni faqen tonë të internetit, si flasim për veten tonë, ne jemi shumë Cymru. Ndërkombëtarisht mendojmë se kemi pak më shumë punë për të bërë akoma. Kështu që ne do të shkojmë në këtë Botëror si Uells”, shtoi ai.
“Por, unë mendoj se viti 2023 do të jetë një vit kur ne do të kemi një diskutim të mirë me të gjithë akterët e ndryshëm – qofshin nga qeveritë, bordet tona, këshillat dhe organet vendimmarrëse, stafi, klubi dhe lojtarët”, deklaroi Mooney.
Alfabetikisht, Uellsi është e fundit nga 55 anëtarët e UEFA-s dhe kjo sigurisht që do të ndryshonte në mënyrë drastike nëse ata kalonin në Cymru.
Nëse kjo do të ndodhë, Uellsi do të ndiqte precedentin e krijuar nga Turqia, e cila tani po prezantohet si ‘Turkiye’.