Vendimi i ri për targat nga Kurti: Nga zhgënjimi i amerikanëve e deri te reagimet e shumta

Vendimi i ri për targat nga Kurti: Nga zhgënjimi i amerikanëve e deri te reagimet e shumta

Kryeministri Kurti këto ditë ka pasur telefonata e vizita të shpeshta nga ndërkombëtarët, por jo si zakonisht, krejt kjo ishte për arsye të shtyrjes së afatit për targat. E këto presione nga ndërkombëtarët si duket kanë kryer pak punë, pasi sot i pari i Qeverisë njoftoi se ka shtyrë afatin për targat, ani pse Kurti po thotë që zbatimi i vendimit s’është shtyrje, por vetëm është “shkallëzuar” , shkruan Periskopi.

“Ne nuk e kemi shtyrë zbatimin e vendimit, e kemi shkallëzuar atë, dhe mendojmë se kjo është zgjidhja më e mirë tani. Në javën e parë të nëntorit e kemi Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet me kancelarin Scholz. Por gjithashtu do të kemi edhe takime të tjera të rëndësishme, për pozicionin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Jemi të vetëdijshëm që ka një fushatë agresive, kriminale, e cila vjen nga Serbia kundër serbëve të Kosovës, dhe gjitha këto na kanë bërë të mendojmë që zbatimin e vendimit ta përshkallëzojmë”, tha kryeministri.

Megjithëse Kurti këtë plan të prezantuar sot e cilëson si “shkallëzim”, kështu nuk po mendojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

DASh ka lëshuar një komunikatë ku u shprehen të zhgënjyer me Qeverinë Kurti për mos realizimin e kërkesave që ia kanë adresuar partnerët ndërkombëtarë Kurtit, madje i dëshpëruar me kreun e shtetit doli të jetë edhe sekretari amerikan Antony Blinken.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krahas partnerëve tanë ndërkombëtarë, i kërkojnë qeverisë së Kosovës që të zgjasë periudhën e zbatimit të vendimit për targat. Kosova ka të drejtë të zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibël për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke”, thuhet në reagim.

E me këtë zhgënjim të shtetit mik, është shprehur i brengosur i pari i LDK-së Lumir Abdixhiku. Ai tha se sjellja me arrogancë e Qeverisë ndaj kërkesave të partnerëve mund të prodhojë pasoja afatgjate.

“Institucionet e vendit duhet t’i trajtojnë me ndjeshmëri të lartë rekomandimet dhe kërkesat e miqve tanë. Sjellja me arrogancë ndaj kërkesave të partnerëve tanë, dëmton interesat strategjike të vendit dhe mund të prodhojë pasoja afatgjata në rrugëtimin tonë politik. Siç na mëson e shkuara, këto marrëdhënie janë fundamentale për të fituar një pozicion më të mirë ndërkombëtar për vendin tonë si dhe për të ndjekur synimet tona strategjike.

Është tejet brengosës fakti që Qeveria e ShBA-ve shprehet e zhgënjyer dhe e shqetësuar nga veprimet e Qeverisë së Kosovës”, tha ai.

Por për dallim nga ShBA-ja që nuk e mirëpriti vendimin e Qeverisë Kurti, kështu nuk po mendojnë dy ish-ministrat e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Ish-ministri i Punëve të Jashtëm Skender Hyseni ka thënë  se Qeveria ka bërë mirë që ka marrë parasysh rekomandimet e ndërkombëtarëve.

Mirëpo ish-ministri pati vërejtje për mënyrën se si Kurti hoqi dorë nga ky vendim.

“Ajo që lë shije të keqe ështe se vendosi të hiqte dorë nga një vendim jo ashtu si duhej!, Në vend që ta arsyetonte si vendim për respektim dhe kooordinim me Amerikën dhe Quintit, ai bëri përpjkeje ta paketonte gjithë këtë vetëm për veshët e armatës së tij digjitale e populliste, duke humbur mundësinë që të tregohej burrështetas dhe të përfitonte diplomatikisht nga vendimi për shtyrje”, tha Hyseni.


Ndërsa ish-ministrja  Jashtme, Meliza Haradinaj  e ka duartrokitur vendimin e Qeverisë duke shtuar se me këtë rast Serbia “mbetet duarthatë”.

“E duartrokas Qeverinë e Kosovës për kreativitetin e treguar në shtyerjen e implementimit për targat – siç e kërkuan aleatët amerikanë.

Pjekuria politike e Kosovës dhe maturia e treguar në këtë situatë delikate, e la Serbinë duarthatë – e cila investonte në incidente me shpresën e shpërthimit të një tensioni më të përshkallëzuar.

Kosova si gjithnjë – po dëshmohet si faktor stabiliteti e paqeje në Ballkan”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.

Ndërsa opinionisti Astrit Gashi e ka vlerësuar si një veprim të mençur nga ana e Kurtit, ndërsa shoi se masa e qortimit është “ide palidhje”.

“Po Kurti eshte terhequr, por ka vepruar mençur. Qortimi eshte ide palidhje, perveç nese nuk e kane menduar si mase me ja u ngrehe veshet!”, ka shkruar Gashi.

Me masën e qortimit ka ironizuar edhe nënkryetarja e PDK-së Vlora Çitaku. Ajo përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook i dërgoj porosi Kurtit që të mos humb kohë me targa,

derisa pyeti “Kjo puna e qortimit a po i bjen që kanë me ua thirrë prindërit a qysh”.

“Kjo puna e qortimit a po i bjen që kanë me ua thirrë prindërit a qysh. Kryeministër, mos humbë kohë me targa. Konteksti gjeopolitik është në anën tonë. Marrëveshja gjithëpërfshirëse me njohjen reciproke në qendër është e mundur nëse punojmë mençur dhe me maturi”, shkroi ajo.

Analisti dhe gazetari, Ilir Mirena me anë të një postimi paralajmëroi se çka mund t’i ndodh Kurtit nëse s’dëgjon këshillat e ShBA-ve.

“S’mundet Amerika sen me i ba Albin Kurtit.

A po e shihni Sali Berishen, s’ja ka lane shej. Qaty n’liste t’zeze, jo najsen tjeter…”, shkroi Mirena.


Kujtojmë se i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar gjatë një vizite javën e kaluar në Kosovë kishte kërkuar nga Kurti e Osmani që të shtyhet për 10 muaj afati për targat. Madje ai kishte theksuar se kërkesa që iu adresua krerëve të shtetit nuk ishte vetëm e ShBA-ve, por edhe QUINTIT.

“Nuk është sekret që ne kemi kërkuar një periudhë më të gjatë të zbatimit, dhe kemi kërkuar edhe 10 muaj të tjerë. Do të doja ta shihja këtë që të ndodhte. Kjo nuk është vetëm kërkesë e ShBA-ve, por e gjithë QUINTIT. Dhe, kjo është për shkak se ne jemi shtetet që e përkrahim më së shumti Kosovën. Besojmë se është e rëndësishme që kur ne bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato”, kishte thënë Escobar./IlirianaXhylani-Periskopi

 

Shpërndaje në: