Në 2019 u kontaktua nga FFK, sot Amir Saipi thotë se pret ftesën e Zvicrës
Lojtarët me origjinë kosovare po hezitojnë ta zgjedhin Kosovën.
Portieri me pasaportë zvicerane, Amir Saipi duket se nuk është duke konsideruar afrimin te kombëtarja e Kosovës.
Ndonëse në gusht të vitit 2019 Saipi takohej me kryetarin e FFK Agim Ademi për t’i lënë të gjithë me shpresa, sot ai ka ndryshuar mendje.
Saipi së fundmi është shprehur se është në pritje të ftesës nga selektori i Zvicrës, Yakin.
“Dua të marrë vëmendjen e Yakin, por tani po mendoj për Luganon dhe si të rritem akoma”, ka thënë Saipi për ‘rsi’.
“Nëse s’do të isha në nivelin e lartë për të luajtur për kombëtaren A, do të mund ta bëja të vlefshme dyshtetësinë. Në futboll, të ardhmes nuk i dihet çfarë sjell”, shtoi portieri.
Në vitin 2019 portieri në fjalë kishte filluar procesin për t’u pajisur me dokumentacionin e nevojshëm për t’iu bashkuar ‘Dardanëve’.