UEFA e prerë: Nëse Rumania nuk pranon të luajë me Kosovën, mund të diskualifikohet nga eliminatoret për EURO24
Sot gjatë ditës u komentua shorti i Evropianit 2024, pasi Kosova është në grup të njejtë me Rumaninë që ende nuk na kanë njohur si shtet.
Federata e Futbollit e Rumanisë njoftoi të hënën se do të bisedojë me qeverinë e vendit për të luajtur ose jo me Kombëtaren tonë, shkruan Periskopi.
“Duke e konsideruar faktin se Rumanisë dhe Kosovës i ra shorti të luajnë në të njëjtin grup në kualifikimet për Euro 2024, në një ceremoni që u mbajt më 9 tetor, dhe duke e marrë parasysh gjendjen gjeopolitike, Federata e Futbollit e Rumanisë do të bisedojë me Qeverinë e Rumanisë për t’i gjetur kushtet më të mira për këto ndeshje, në të cilat ekipi ynë përfaqësues do të përballet me Kosovën në Grupin I”, ka thënë Federata rumune për mediat lokale.
Por, UEFA në një përgjigje për Nacionale ka thënë se Rumania rrezikon diskualifikimin nga kualifikimet për Kampionatin Evropian në rast se nuk pranon të luajë me Kombëtaren e Kosovës.
Neni 30 i rregullores së garave i UEFA-s thekson:
“Nëse një Federatë refuzon të luajë apo është përgjegjëse për mos zhvillimin e një ndeshjeje apo mos zhvillimin e saj plotësisht, atëherë Komiteti i UEFA-s për Etikë, Kontroll dhe Disiplinë mund të ndërmarrë masa shtesë disiplinore të cilat vlerësohen si të përshtatshme për federatën në fjalë, përfshirë diskualifikimin nga gara”, sipas nenit 30 të Rregullores së UEFA-s.
Kujtojmë se Kosova ndodhet në grupin I me Kombëtaret si: Zvicra, Izraeli, Rumania, Bjellorusia dhe Andorra.