Kosova e pret Zvicrën në shtator, zbulohen datat e ndeshjeve kualifikuese për “Euro 2024”
Këtë të diel u bë tërheqja e shortit për grupet e fazës kualifikuese për në Kampionatin Evropian “Euro 2024”, që do të mbahet në Gjermani.
Kombëtarja e Kosovës u shortua në Grupin I, bashkë me Zvicrën, Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorrën.
Tashmë është bërë i ditur edhe orari i ndeshjeve për këtë grup.
Kosova, ndeshjen e parë të këtij cikli kualifikues do ta luajë në udhëtim te Izraeli, më 25 mars të vitit të ardhshëm.
Pas tri ditësh, më 28 mars, Kosova do të jetë nikoqire e Andorrës.
Pas pauzës prej tre muajsh, ndeshjet kualifikuese për “Euro 2024” do të rikthehen në aksion në qershor.
Më 16 qershor, Kosova e pret Rumaninë, kurse pas tri ditësh (19 qershor) do të luajë si mysafire e Bjellorusisë.
Pastaj sërish do të ketë pauzë deri në shtator. Më 9 shtator, “Dardanët” do të presin Zvicrën, që pritet të jetë edhe ndeshja më interesante.
Pastaj, më 12 shtator, Kosova do të jetë mysafire e Rumanisë.
Pas pauzës tjetër, Kombëtarja e Kosovës do të rikthehet në aksion më 12 tetor, kur do të luajë në udhëtim te Andorra. Më 15 tetor, Kosova e pret Izraelin.
Ndeshjet e fundit kualifikuese do të zhvillohen në nëntor. Kosova do të luajë në udhëtim te Zvicra më 18 nëntor – kurse ciklin kualifikues e mbyll më 21 nëntor, si vendase e Bjellorusisë.