Arbnor Morina jep dorëheqje nga posti i trajnerit të Ferizajt
Arbnor Morina ka dhënë dorëheqje nga posti i trajnerit të Ferizaj.
Klubi ferizajas ka njoftuar këtë të diel se Morina ka ofruar dorëheqjen, pas ndeshjes me Gjilanin, që u mbyll me shifrat 1:1.
Pasi e inkuadroi në Superligë, Arbnor Morina e udhëhoqi Ferizajn në dhjetë ndeshjet e para në elitë.
Ferizaj pas dhjetë ndeshjeve ka grumbulluar 8 pikë, teksa renditet i fundit në tabelë
“Pas takimit të sotëm kundër Gjilanit, kam njoftuar kryesinë e klubit që nuk do të jem më trajner i ekipit sepse mendoj që diçka duhet të ndryshohet që ekipi të ec përpara, me idenë se klubi është më i madh se secili individ. Periudha e kaluar në Ferizaj, është një periudhë shumë e këndshme për mua në bashkëpunim me njerëz punëtorë dhe të sinqertë, mirëpo klubi ka nevojë për një infuzion që të vazhdoj rrugëtimin aty ku e ka cakun. Këtë vendim e kam marr pasi që prej xhiros së parë kemi qenë ekip, i cili kemi tregu futboll të mirë, kemi shënuar por nuk kemi mundur të mbajmë rezultatin. Besoj se reflektimi im do të ia kthej FC Ferizajt ditët që i kemi kaluar në ligën e parë”, ka thënë Morina për faqen zyrtare të klubit.
Ndërkaq, presidenti i klubit të Ferizajt, Lulzim Abazi, e ka falënderuar Morinën për kontributin e tij 1 vjeçar, duke i uruar shëndet e suksese në të ardhmen.