Sulmi ndaj Ramës dhe gënjeshtra e madhe e Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit
Për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është apologjetik i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, “kur redukton krimet që janë kryer në Kosovë nga ana e regjimit të Millosheviç’it në spastrim etnik”.
Serbia, sipas Osmanit, në luftën e fundit në Kosovë ka kryer gjenocid.
Me faktin se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë pajtohet edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, madje ai shkon më tej duke thënë se për këtë Serbia duhet të paditet.
“Përgatitjet për padi janë gjigante sepse një rast i tillë as nuk guxon, as nuk duhet e as nuk mund të humbet”, pati deklaruar i pari i ekzekutivit.
Përkundër se gjigante, Qeveria e Kosovës akoma nuk ka ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim.
Dhe për më tepër, sipas hulumtuesit në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gzim Shala, premtimi i Albin Kurti për ta paditur Serbinë për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krime të kryera gjatë luftës, teknikisht është i pamundur.
Padia për gjenocid, sipas Shalës, nga Qeveria u përdor më shumë për konsum të brendshëm politik se sa si një mundësi reale.
“Kosova nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe as shtet palë i Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit. Për këtë arsye, Kosova nuk ka të drejtë të ushtrojë padi për Gjenocid”, ka treguar Shala.
Një padi e tillë eventuale, sipas Shalës, përpos që do të hidhej poshtë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, do ta ekspozonte Kosovën në arenën ndërkombëtare si një shtet jo serioz.
“Fatkeqësisht, ky premtim i qeverisë u jep shpresa të rreme të gjithë familjarëve të viktimave të krimeve të luftës, të cilët tash e sa vite presin drejtësi për rastet e tyre”, ka shtuar ai.
Në të njëjtën linjë të mendimit është edhe profesori i së drejtës ndërkombëtare, Besfrot Rrecaj.
Sipas Rrecajt, locus standi, apo të drejtën për të qenë palë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë e kanë vetëm shtetet që janë anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, dhe për këtë arsye Qeveria e Kosovës po detyrohet të shtyjë deri në pakufi premtimin e saj për padi ndaj Serbisë.
“Deri sa Kosova nuk është anëtare e OKB-së, ose të paktën deri sa rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit është në fuqi, është vështirë të besohet se Kosova mund të paraqes padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka thënë Rrecaj për Albanian Post.
Inicimi eventual i një padie të tillë nga ana e Qeverisë së Kosovës, sipas Rrecajt, nuk është i mundshëm dhe realist në një të ardhme të parashikueshme.
“Abrogimi i rezolutës 1244 nuk po duket të jetë në pah për një periudhë afatshkurtër apo afatmesme”, ka shtuar ai.
Ndryshe nga Shala e Rrecaj, Adi Beqiri, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare te Shkolla e Diplomacisë në Gjenevë ka treguar për Albanian Post, dy mënyra se si Kosova mbase do mund ta padisë Serbinë pa qenë anëtare e OKB-së.
“Kosova mund të përdor një shtet të tretë i cili do të mund ta inicionte rastin për gjenocid ndaj Serbisë, sikurse është rasti i Gambisë kundër Miamarit sa i përket gjenocid të pretenduar nga ana e tyre”, ka thënë Beqiri për Albanian Post.
“Një mënyrë tjetër është përdorimi i një organizate e cila do të ngrite padi ndaj Serbisë, pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila do të kërkonte një opinion nga GJND-ja se a ka pasur gjenocid apo jo”.
Në ekspozenë e tij si kryeministër para ligjvënëseve kosovarë, Albin Kurti, pati deklaruar se nën drejtimin e tij do të përgatitet padia për gjenocid ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krime të kryera gjatë luftës, në vitin 1998 dhe 1999 ndaj popullatës civile shqiptare.
Padia për gjenocid ndaj Serbisë kishte qenë edhe njëri ndër premtimet zgjedhore në programin e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Ne jemi të bindur që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë në luftën e fundit te ne dhe kjo e meriton një padi dhe qeveria e Republikës së Kosovës e ka përgatitjen e saj obligim ndaj historisë tonë, ndaj qytetarëve që kanë plagët e hapura dhe qe besa edhe ndaj ardhmërisë sonë, që kërkon një shtet demokratik, një shtet të drejtë në të cilin dihet qartë se kush është agresori e kush është viktima”, kishte deklaruar Kurti.
Se Qeveria e Kosovës ka për synim ta paditë Serbinë për gjenocid pati konfirmuar edhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, në një paraqitje televizive, duke shtuar se dikasteri të cilën ajo e drejton e ka nisur punën në këtë drejtim.
“Ka pasur takime me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, kemi nisur punën në këtë drejtim, por unë nuk mund të jap detaje për këtë proces për shkak të ndjeshmërisë që ka tema”, kishte deklaruar Haxhiu.
Kanë kaluar 18 muaj nga marrja e pushtetit dhe Haxhiu as sot s’mund të jap detaje. Kjo për arsye se qeveria asnjëherë nuk ka nisur punë në këtë drejtim.
Madje puna me të veçse kishte përfunduar, atëherë kur u fituan zgjedhjet.
Nga Dreni Himbeqa