Si të lini përshtypje të mirë përmes telefonit, katër këshilla
Telefonatat janë pjesë e pandashme e punës, që nga punë-kërkimi e deri te detyrat që duhet të kryeni edhe pasi të jeni punësuar. Përdorimi i telefonit është rritur dukshëm sidomos pas shfaqjes së pandemisë, edhe për bisedat telefonike. Se sa shumë kujdes duhet t’u kushtojmë këtyre të fundit, varet nga ajo se për çfarë po bëhet një telefonatë. E kur ajo ka të bëjë me punën, çështja ndryshon.
Fuqia e lidhjeve të forta përmes telefonit nganjëherë duket e pamundur. Ne mendojmë që krijojmë ndikim të mirë vetëm kur jemi përballë dikujt, duke i parë lëvizjet e fytyrës dhe qëndrimin. Por si do të arrihet kjo nëse nuk mund të komunikohet me dikë as drejtpërdrejt e as me video kamerë? Prandaj komunikimi cilësohet si art, sepse janë disa gjëra që mund të na duken “të parëndësishme” duke mos ua vënë veshin, por janë dora e fundit dhe më e fuqishme e një bisede.
Volumi ka rëndësi
Edhe nëse personi me të cilin flisni është i vështirë për t’u dëgjuar për shkak të të folurës me zë të ulët, ju duhet ta adaptoni volumin e zërit për ta kuptuar ose, bëni përpjekje që ta takoni përballë. Arsyeja më e shpeshtë e keqkuptimit përmes telefonit është mosdëgjimi. Nëse në linjë keni një zë që është më i qetë, në ndërkohë që ju keni për të shpjeguar gjëra, ndryshoni intonacionin e zërit në bazë të nevojës! Nëse personi me të cilin flisni ju kërkon disa herë që ta përsëritni atë që thatë, kujdesuni që ta ngrini zërin në mënyrë që të dëgjoheni! Dhe pjesa më e rëndësishme është të dëgjoni!
Ritmi luan rol të rëndësishëm
Disa njerëz janë folës të shpejtë, disa të tjera flasin shumë përnjëherësh dhe mandej pushojnë. Kur e telefononi dikë ose ju telefonon dikush, mundohuni që ta njihni bashkëbiseduesin dhe të përshtateni ose të gjeni një mes! Nëse biseda ka ritëm është më e lehtë të ndiheni më me besim dhe të lidhur më shumë me bashkëbiseduesin. Nëse tentoni që të krijoni një lidhje të mirë përmes telefonit, do të jetë e lehtë që të arrini çfarëdo marrëveshje, ose të krijoni përshtypje të mirë nëse jeni duke kërkuar punë.
Energjia përcillet
Të gjithë kemi nivele të ndryshme të energjisë dhe të gjithë kalojnë nëpër faza të ndryshme të jetës. Duke qenë se në bisedat telefonike nuk mund të shihen emocionet e bashkëbiseduesit që i transmeton përmes syve, është shumë e vështirë të kuptohet se nëpër çfarë po kalon personi me të cilin po komunikoni. Përsëri dëgjimi është çelësi, nëse zëri i tij tingëllon që nuk është mirë, këtu nuk duhet t’i përshtateni. Përpiquni që ta transmetoni sado pak energjinë tuaj në anën tjetër të telefonit!
Mos shkoni shumë larg
Çelësi është të krijoni lidhje me personin në telefon, duke qenë që secili ka personalitet dhe në bazë të tij i krijon të gjitha lidhjet e mundshme, këtë e bën edhe në bashkëbisedimet e këtij lloji. Por duhet të jeni të kujdesshëm sesi i drejtoheni bashkëbiseduesit, në mënyrë që kjo të mos shkojë deri në ekstrem dhe t’i irritojë bashkëbiseduesit! Pra, çfarëdo stili të bashkëbisedimit të keni, përshtatuni më stilin e personit në linjën tjetër!