Shansi i humbur i Kurtit për ta kthyer krizën energjetike në mundësi për Kosovën
Adri Nurellari
Çmimi i qymyrit në të gjitha kontinentet është ngjitur në nivelet më të larta të të gjitha kohërave këtë javë duke kapur 375 dollarë për ton, pothuajse trefishi i asaj që ishte një vit më parë, ndërkohë që Kosova fle në rezervën e dytë më të madhe në Evropë të linjitit me mbi 14 miliardë tonë qymyr. Me gjithë këtë pasuri nëntoksore dhe këtë rrethana të favorshme, po të kishim një qeveri profesionale e të përgjegjshme në Kosovë, jo vetëm që nuk do kishte ndërprerje rryme por do kishte të hyra të majme buxhetore. Sot Kosova do duhej të kishte shumëfishuar nxjerrjen e linjitit për të furnizuar nevojën në rritje për qymyr të vendeve fqinje duke shënuar për herë të parë një bilanc tregtar pozitiv nëpërmjet shitjes ose shkëmbimit me rrymë elektrike.
Sot do duhej që qeveria e Kosovës të ndërmerrte diplomaci ekonomike duke përdorur nevojat në rritje për qymyr jo vetëm për të siguruar rrymë të vazhdueshme për Kosovën e fitime por edhe për të siguruar favore e koncesione diplomatike. Gjermania ka miniera të shumta qymyri të mbyllura së fundmi në Rhineland apo Lusatia nga ku me pak para mund të blihen makineritë moderne për të shumëfishuar nxjerrjen e qymyrit në Kosovë. Mirëpo fatkeqësisht ne sot nuk po nxjerrim mjaftueshëm qymyr për të përmbushur nevojat tona dhe ky oportunitet historik po na ikën nga duart.
Një ndër vendimet më të gabuara që ka marrë Kurti ka qenë pikërisht ai i qershorit për të refuzuar propozimin e Serbisë, t’i dhënë Kosovës energji elektrike në shkëmbim të thëngjill. Kjo ka qenë një mundësi e jashtëzakonshme për Kosovën pasi Serbia është ndër vendet më të varura nga termocentralet me qymyr, që përbëjnë 70% të nevojave për energji. Serbia ka autorizuar korporatën energjitike të blejë sa më shpejt 3 milionë tonë qymyr që me çmimin e tregut do të thotë mbi 1 miliardë euro blerje.
Nëse e marrim nga ana parimore, ky ishte hap hipokrit se nga njëra anë Kurti shitet si patriot i flaktë refuzon të marrë rrymë elektrike nga Serbia, nga ana tjetër qeveria ndan 40 milionë euro për KOSTT-in për rrymën në veri dhe importet prej Serbisë kanë qenë mbi 300 milionë euro vjet. Marrë nga ana praktike ky vendim ka qenë shumë i dëmshëm sepse qe nje mundësi e jashtëzakonshme për të kursyer para duke siguruar rrymë elektrike që këmbehet me qymyr, të cilin Kosova e ka të pamatë, pa u helmuar prej tymit të centralëve. Serbia aktualisht është e dëshpëruar dhe po përpiqet të blejë qymyr ku të mundet, duke bërë marrëveshje për të marrë qymyr madje edhe nga Shqipëria e Mali i Zi.
Maqedonia e Veriut ka që në vitin e kaluar që përpiqet që të blejë tre milionë ton qymyr nga Kosova për të furnizuar termocentralet e saj të qymyrit që mbulojnë 55% të nevojave. Për shkak të afërsisë gjeografike dhe lidhjeve hekurudhore të trashëguara prej Jugosllavisë, treg për eksport të qymyrit kosovar mund të jetë edhe Bosnje Hercegovina (65% varësi nga termocentralët e qymyrit) e cila vetëm vitin e kaluar ka importuar 1.4 milionë ton qymyr.
Porse Kosova ka një mundësi fenomenale për të shitur ose këmbyer qymyr për rrymë elektrike me vende të tjera të Evropës për të shfrytëzuar dhe kompensuar embargon ndaj Rusisë, duke ditur që vendet e BE-së importuan afro 52 milionë tonë qymyr nga Rusia në vitin 2021. Nga këto 8 milionë tonë kanë shkuar në Poloni (e cila 41% të energjisë e siguron prej termocentraleve të qymyrit) dhe 4.5 milionë tonë në Sllovaki. Rumania, Hungaria dhe Bullgaria gjithashtu janë duke kërkuar burime alternative për të importuar qymyr tanimë që janë ndalur importet e deritanishme prej Rusisë.
Dihet qevojat e Kosovës për energji elektrike i tejkalojnë kapacitetet e prodhimit, sidomos gjatë dimrit. Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavatorë nëse dy termocentralet ekzistues të vjetëruar janë plotësisht në funksion ndërkohë që gjatë dimrit nevojat mund të mbërrijnë deri në 1 300 megavatorë (Më). Pra është e ditur për çdo qeveri të Kosovës që gjatë dimrit është e nevojshme që të importohet rrymë elektrike. Kriza energjitike botërore ka nisur që vitin e kaluar, ku çmimet e rrymës në treg të lirë shkuan shumëfish krahasuar me vitet e mëparshme, pritet të përkeqësohet sivjet dhe të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. Kështu për shembull çmimi i rrymës në bursën hungareze (që merret si referencë për tregun e rajonit tonë) në 1 shtator ishte rreth 600 euro për Më, në 1 shkurt 2021 qe rreth 30 euro për Më ndërsa në të njëjtën datë të vitit 2020 qe vetëm 30 euro për Më.
Pra qeveria e Kosovës ka pasur boll kohë që vitin e kaluar që të mendojë, studiojë e negociojë kontrata për të përballur siç duhet krizën energjitike. Vende të tjera kanë kohë që janë vetëdijësuar dhe kanë marrë masa emergjente për të përballur atë qe e pret vendin. Kështu për shembull në Shqipëri është lidhur një kontratë prej prillit të këtij viti për të sjellë dy anije që prodhojnë energji elektrike me kapacitet total të instaluar prej 110 Më. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski dhe kryeministri në detyrë bullgar Galab Donev sapo kanë bërë një marrëveshje sipas së cilës Bullgaria mund të eksportojë deri në 200 Më energji elektrike në Maqedoninë e Veriut deri më 31 mars kur është kulmi i krizës.
Megjithatë ende ka mundësi që kjo qeveri të dalë nga gjumi, të largohet nga sjellja denoncuese si të ishte në opozitë dhe t’i dalë zot vendit. Kriza energjitike me gjasa do të zgjasë disa vite dhe sanksionet ndaj Rusisë, eksportueses më të madhe të qymyrit në Evropë kanë për të zgjatur e për t’u ashpërsuar me sa duket. Në të tilla kushte qeveria e Kosovës do duhej të duhej të hiqte dorë nga përpjekja për tu shitur më katolik se papa, pra me ekologjik se BE-ja, dhe të ecte me këmbë në tokë duke shfrytëzuar pasurinë më të madhe natyrore të Kosovës, qymyrin, në të mirë të qytetarëve të saj. Qymyri do duhej të përdorej sot jo vetëm për të garantuar vazhdueshmëri furnizimi me rrymë me çmime të përballueshme por edhe për të siguruar të ardhura buxhetore shtesë që mund të përdoreshin mandej për infrastrukturë, shërbime publike më cilësore etj.