Kryetari i FShF-së: Më vjen turp që Kosova na ka kaluar 10 vende në renditjen e UEFA-s për klube
Kryetari i Federatës Shqiptare i Futbollit, Armand Duka, ka thënë se i vije turp që Kosova ka arritur të renditet më lart sesa Shqipëria në ranglistën e UEFA-s për klube.
I pari i shtëpisë më të madhe të futbollit në Shqipëri e ngriti këtë paralele të çuditshme në fjalimin e tij para kryeministrit dhe ministrave.
Ndonëse e pranon që Kosova ka përparuar më shumë se Shqipëria për vetëm tri vite, ai tutje thotë se, pos ligjit të sponsorizimit, nuk kanë bërë ndonjë hap tjetër të madh.
“Është turp për mua dhe turp për të gjithë komunitetin sportiv që Kosova na ka kaluar në 10 vende, ka bërë Ligjin e Sponsorizimit dhe është 10 vende para nesh sot. Realisht më vjen turp, jam drejtues i Federatës së Futbollit, por nuk më duket sikur kanë bërë shumë gjëra tjera më mirë se ne, përveç Ligjit të Sponsorizimit”, tha ai.
Siç dihet, Kosova shënoi një përparim të madh në renditjen e fundit të UEFA-s për klube, duke u renditur në vendin e 33-të, gjashtë pozita më lart sesa ishte në të kaluarën.
Ndërkohë, Shqipëria gjendet në vendin e 49 në këtë renditje.