Kampionia Gega: Kam refuzuar ofertat e shteteve të tjera, dua Shqipërinë

Kampionia Gega: Kam refuzuar ofertat e shteteve të tjera, dua Shqipërinë

Kampionia Luiza Gega, në fjalën e saj nga Kryeministria tregoi se në rrugëtimin e saj ka pasur shumë vështirësi, por që nuk u dorëzua asnjëherë.

Gega tha se ka refuzuar shumë oferta nga shtetet e tjera, pasi ka dashur që të përfaqësoj vetëm Shqipërinë.

“Kam pasur shumë vështirësi sepse sportistët ashtu siç kanë triumfet, kanë dhe momentet e vështira. Dëmtimet i çojnë hapa mbrapa, por vendosa për të mos u dorëzuar. Kam pasur oferta për të vazhduar me vendet e tjera, por unë e dua këtë vend. Kam besuar se do vij dita që vendi jonë do ndryshojë dhe ky ndryshim ka ndodhur. Kemi gjëra për të ndryshuar,por kemi ecur shumë përpara”, tha ajo e emocionuar.

Në ambientet e Kryeministrisë po zhvillohet ceremonia për nder të Luiza Gegës, e cila u shpall kampione e Europës në garën 3000 metra me pengesa në Gjermani.

E veshur me ngjyrat kuqezi, Luiza Gega parakaloi me një automjet tip ‘Kadillak’ përgjatë bulevardit në drejtim të Kryeministrisë, ku u prit me brohoritma dhe entuziazëm nga njerëz të shumë që kishin dalë për ta përshëndetur.

Gega fitoi medaljen e artë duke shënuar kohën 9’11”31, në një garë që e dominoi nga fillimi e deri në fund. Një rezultat i jashtëzakonshëm për Gegën dhe atletikën shqiptare, e cila ngjitet në majën e Europës.

Shpërndaje në: