Java e debatit të nxehtë për shaminë – A e prodhoi Kurti me qëllim?

Java e debatit të nxehtë për shaminë – A e prodhoi Kurti me qëllim?

Ka disa ditë që në rrjete sociale ka vërshuar një fushatë ku kërkohet ndryshimi i Udhëzimit Administrativ për lejimin e shamisë nëpër shkolla në Kosovë. Mijëra komente e kërkesa për këtë çështje drejtuar Ministrisë së Arsimit por edhe krejt Qeverisë Kurti. Debat i madh, reagime e kundërshtime kemi dëgjuar gjatë krejt javës, si nga krerët insititucionalë, deputetë e qytetarë të rëndomtë. Periskopi ka përmbledhur këto deklarata se si rrjedhi gjithçka, ndërkohë ka kontaktuar edhe ish-Ministren e Arsimit, Hykmete Bajrami, e cila thotë se po të ishte në pozitë, do dinte si të vepronte. Po a është ky një debat i prodhuar prej kryeministër Kurtit, për t’u tërhequr nga tema tjera, siç po aludohet në opinion…

Që nga viti 2014 ekziston një Udhëzim Administrativ i Ministrisë së Arsimit, Neni 3, pika 1.13 që ndalon bartjen e shamisë në shkolla, që si i tillë ishte nënshkruar nga ministri i atëhershëm i këtij digasteri, Enver Hoxhaj.

Është ish-këshilltari i kryeministrit Albin Kurit, juristi Durim Berisha që duke riaktualizuar këtë,  i ka drejtuar MASHT’it një kërkesë për anulim të nenit kontestues të U.D në fjalë. E krahas kësaj kërkese, në rrjetin social Facebook ka nisur një fushatë me fotografi me hashtag #ndryshojeni_ua_per_shaminë. Organizatori i saj,  Liridon Kurti tha se kanë marrë mbështetje të madhe, ndërkohë, sipas tij, nëse brenda 45 ditësh ministria nuk e trajton kërkesën, ata do të ngrisin padi.

Ndonëse nuk është hera e parë që sjellet në opinion publik si çështje, sërish pati një debat mbi atë nëse duhet apo nuk duhet të lejohen femrat e mitura të futen në shkollë me shami mbi kokë.

Periskopi ka tentuar të kontaktojë gjithë ish-ministrat e Arsimit  për t’i pyetur për opinionin e tyre rreth  kësaj teme të djeshme, por e vetmja që tha diçka ishte Hykmete Bajrami.

Ajo pa dashur të shpalosë ndonjë koment konkret, theksoi se po të ishte në pozitë të tillë, do të dinte si të veprone.

Ndërsa, ish-ministrja Bajrami thotë se nuk i kujtohet të ketë pasë ndonjë presion të tillë në kohën kur ishte në krye të MASHT’it, pasi fokusi ishte tek pandemia e mësimi online.

‘’ Po të isha unë, kisha marr hapat e duhur, por tash është dikush tjetër. Jo nuk më kujtohet që ka pasë presion, sepse menjëherë pati ndodhë pandemia pastaj gjithçka ka qenë e fokusuar rreth mësimit online. Nuk është që… Tash kemi edhe një prononcim, premtim a çka me i thënë të Qeverisë të paktën. Por, megjithatë s’kam koment për këtë.’’, thotë Hykmete Bajrami.

Kush çka tha tjetër për shaminë

Shumë avokuese e  zëshme këto ditë, nuk kishte si të mos ishte deputetja e komunitetit boshnjak, Duda Balje. Madje, në një deklaratë të saj ajo tha ‘’femrat myslimane s’mund të jetojnë pa shami”.

Balje, po ashtu në një prononcim për Periskopin tregoi se nuk e kupton kryeministrin Kurti se pse është inferior ndaj kësaj çështje.

Për ish-ambasadorin e Kosovës, z.Lulzim Peci, kjo nismë ka ‘për qëllim futjen e islamit politik në institucionet e Kosovës’.

“Shpresoj se Qeveria e Kosoves nuk do te beje nje gabim madhor duke e ndryshuar udhezimin administrativ qe ndalon bartjen e uniformes fetare – shamise ne shkolla, pasi me kete karakteri sekular i vendit tone do te goditet ne themel, e me kete edhe shtylla mbajtese e identitetit shqiptar ne vendin tone”, shkruan Peci në këtë postim.

Për profesorin Blerim Latifi, i cili po ashtu është kundër ndryshimit të këitj udhëzimi administrativ, heshtja e intelektualëve të Kosovës por edhe politikanëve poashtu për këtë temë, është e papranueshme. Ai e quan ‘’histori tragjike të çikave të Kosovës’’.

Deputeti i LDK’së, Driton Selmanaj shkroi se si Kosova është vend laik dhe nuk duhet të shkelet Kushtetuta. Pra kundërshtoi haptas këtë nisme. E për dallim prej tij, kolegu kryetar, Lumir Abdixhiku zgjodhi të mos përfshihet pasi mendon se krejt kjo ‘’ është temë irelevante,  e prodhuar nga Kurti për ta mbuluar paaftësinë’’.

Për shembull, gazetari Ridvan Berisha, ka një thirrje për të gjitha mediat që të mos shkelin në kurthin e kryeministrit Kurti për ta tematizuar çështjen e shamisë.

”Kosova ka me bollëk brengash të tjera, i dijmë dhe i përjetojmë të gjithë ne. Më së paku çështja e bartjes së shamisë për fëmijët nëpër shkolla ka ta bëjë me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.”, tha ai.

Pushteti flet!

Tek pas disa ditësh pasi mori dhenë kërkesa për shaminë, u lajmërua zyrtarisht Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Përmes një komunikate,  fjala shami nuk u përmend askund, por vetëm u theksua rëndësia e të qenit në banka shkollore nga çdo fëmijë në Kosovë.

Sot, i pyetur nga gazetarët, kryeministri Albin Kurti përsëriti qëndrimin e vjetër , duke thënë se shamia nuk duhet të ndalohet, por prag i saj duhet të jetë mosha 16 vjeçare.

Kur jemi tek kryeministri,  kujtojmë që në një postim të tij në Facebook patën vërshuar  mbi 3000 komente të njëjta nga qytetarët me ‘hashtagun’ tashmë të njohur që bën thirrje për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për bartjen e shamisë islame në shkolla./Kaltërina Misini – PERISKOPI/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në: