10 shkurti si korrigjim, pamundësi dhe marshim përpara

10 shkurti si korrigjim, pamundësi dhe marshim përpara

Interesi ishte trepalësh: pas vrasjes së ish kryeministrit serb Zoran Gjingjiq shihej që Rezoluta 1244 nuk po zbatohej dhe nuk do të mund të zbatohej në plotninë e saj, e as që Kosovës po i ndahej një pjesë siç dëshiroi Gjingjiq deri në intervistën e fundit, tre javë para vrasjes.
Ndaj që në pamundësi të dërgimit të tankseve, një betonim i mëtejmë i ndarjes së brendshme të Kosovës, përkatësisht një paraqitje e shqiptarit si vehabist kur s’ishin mbushur as 3 vite nga sulmet e 11 shtatorit 2001, ishin gjëra jo të pamundura për Serbinë.

Mjaftonte t’i kishe vetëm  disa shqiptarë hyzmetqarë dhe që manipojnë adoleshentët që po rriteshin ose me kujtimin e freskët të luftës ose me të dëgjuarat pë të (në një kohë kur po masovizohej edhe interneti e ku luftën mund edhe ta ‘google’-oje).  U dogjën e u rënuan mbi 40 objekte të ritit ortodoks. U vranë 8 serbë anipse pësuan fatalisht edhe 11 shqiptarë. Ndarja, sidomos në veri u betonua, eksterritorialiteti përreth kishave serbe u sanksionua imazhi i shqiptarit si vehabist nisi të vinte në shprehje (nganjeherë edhe jo pavend), si dhe 12 vite më vonë kjo do t’kushtonte Kosovës me mospranim në UNESCO.

Sidomos djegia aq e organizuar e kishave për më pak se 48 orë, përkonte me diçka që s’kishte ngjarë as gjatë 500 vjeçarit otoman, as gjatë 3 vjeçarit austro-hungarez, as gjatë 4 vjeçarit gjermano-italian, kur shqiptarët gëzonin njëfarë pushteti në Kosovë, prandaj edhe s’mund ta quash të rastësishëm. Ishte i organizuar nga klika bashkëpunëtore, siç është edhe sot një pjesë e tyre.

Mafia shqiptare nën siglën PDK nga ky situim përfitoi në kuptimin që nisi të vinte në shprehje më shumë e më shumë. U vesh me pushtet. Imponoi veten. U lidh me biznese, me pronarë pompash benzine, me atë servilin e Bankës Qendrore, u deklaruan të gatshëm ta pranojnë prvatizimin, blenë gazetarë e hapen gazeta, fituan territor në telefoni mobile e në resorë medial (përfshirë televizionin publik), organizuan paroditë si “Kabineti i qeverisjes së mirë” e të ngjashme. Përfitues ishin edhe ndërkombëtarët nëse situatën do e lexonim gjykuar nga sjellja e e tyre tipike orientaliste: “ne s’kemi faj, zullutë ballkanikë e hakmarrës po i’a hanë kokë njëri tjetrit”.

10 shkurti 2007 në anën tjetër s’ishte asnjëra nga këto: direksioni s’qenë enklavat dhe as s’mund të thoshe se piketim ishte pakica serbe, meqë po protestohej kundër negociatave; pastaj mësymja s’ishte e karakterit kundëretnik, meqë njerëzit u nisën drejt selisë qendrore të ish IPVQ-ve; kishte organizim dhe s’lejoheshin njerëz të armatosur; marshimi ishte i qetë dhe jo egërsisht maskulin meqë gjeje deri edhe nënat gjakovare. E megjithatë Arbeni e Moni u vranë. U vranë me plumba gome të dalur afati, dhe për vrasjen e tyre nuk u dha përgjegjësi. As nga të huajt as nga vendorët, pavarësisht konstatimeve të organizatave respektive ndërkombëtare për përdorim të panvojshëm force. Në vend të saj u dha shëmti, që mbajnë emrat Agim Çeku, Sheremet Ahmeti dhe Ulpiana Lama.

10 shkurti të paktën në nivel konstatimor, paraqet edhe një pamundësi. Pamundësinë e pjesëtimit të shqiptarizmës në kosovarizëm, gegënizëm dhe për rrjedhojë atashimin politik mbi shtyllat identitare në fjalë. Nuk mund të prisje nga gjenerata që u rrit në ato pak të drejta kulturore, arsimore e ligjore që Kosova brumësoi 30-40 më parë  “të tregonte mençuri” e të stisej brenda dite si kosovare a gege. Marshimi e kërkesat ishin shqiptare, meqë njerëzit po konsideronin se nuk po realizohet ideali i shokëve dhe të dashurve të tyre. Nëse Kosova ishte deficitare në elita që çështjen identitare ta mendonin 40 vite më herët, nuk mund t’i fajësosh a zaptosh demonstruesit tashmë të pjekur në identitet shqiptar, pse s’janë diçka tjetër.

Krejt në fund marshi ishte edhe marshim përpara: drejt vdekjes për të mos rënë i Arbenit dhe Monit, marshim  i shpirtit të lirisë që çoi në konsekuime politike edhe për këtë pavarësi gjysmake e të brishtë që e kemi  (kujto pse Bush foli hapur për pavarësinë në Tiranë tek në qershor 2007, e jo të zëmë në janar 2007), si dhe marshim i qytetarisë që po e mbyste hibernimi dhe agonia e kultit rugovist dhe e konsiderimit të vetëvetes banorë.

Shpërndaje në: