“Në dhomat tona të zhveshjes nuk flitet për Ronaldon”
Mundësia e rikthimit të Cristiano Ronaldos në La Liga, por tashmë tek Atletico Madrid dhe jo Reali, ka shkaktuar debate të shumta në Spanjë.
Tifozët “Colchoneros” kanë nisur protestat kundër afrimit të 37-vjeçarit portugez. Ultrasit kryeqytetas kërcënojnë me dorëzime abonimesh, teksa presidenti Enrique Cerezo i qetësoi disa ata.
“Nuk e di kush e shpiku këtë histori, por është praktikisht e pamundur që ai të vijë këtu. Thashethemet janë thashetheme dhe duhet të mbeten të tilla“, deklaroi presidenti i Atleticos për mediet portugeze. Në këtë çështje është përfshirë edhe kapiteni Koke, i cili është përballuar shumë herë me portugezin si kundërshtar në duelet ndaj “Los Blancos”.
“Në dhomat tona të zhveshjes nuk flitet për Ronaldon. Shokët e mi të ekipit janë lojtarë të mëdhenj, ne kemi sulmues nga Argjentina, Brazili, por edhe nga Portugalia, Franca dhe Spanja. Lojtarë të mëdhenj që mund të bëjnë gjëra të mëdha. Unë u besoj atyre, jemi të kompletuar në sulm“, theksoi mesfushori 30-vjeçar.