Skuadra e Ballkanit me dy mungesa të mëdha në ndeshjen ndaj La Fioritas
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes kundër La Fioritas ka zbuluar se përveç mbrojtësit, Bajram Jashanica, i cili u lëndua në ndeshjen e parë nesër mund të mos jetë pjesë e formacionit titullar as mesfushori i talentuar, Lindon Emërllahu.
Kampioni i Superligës së Kosovës do të përballet nesër në ndeshjen kthyese kundër skuadrës nga San Marino të cilën e mposhti në ballafaqimin e parë me rezultat të thellë 0-4.
Ilir Daja në konferencë për shtyp deklaroi se do të përqendrohen maksimalisht dhe nuk do të mendojnë se si ka përfunduar dueli i parë.
”Do jemi në përqendrimin maksimal sepse nuk do mendojmë se si ka dalë ndeshja në transfertë. Ndryshime në formacion besoj që nuk do të ketë përveç mungesave që kemi sepse dihet tashmë që Jashanica është dëmtuar në ndeshjen e parë dhe nuk do të jetë prezent nesër, një problem të vogël ka pasur edhe Emërllahu,” tha ai.
Kujtojmë se Ballkani ishte eliminuar në raundin e parë të Ligës së Kampionëve kundër Zalgiris me rezultat të përgjithshëm 1-2.