FC Prishtina gati – Përfundon fazën përgatitore në Maqedoninë e Veriut
FC Prishtina e ka përfunduar një nga fazat më të rëndësishme përgatitore para fillimit të edicionit të ri në futbollin kosovar.
Prishtina për dy-javë është përgatitur në kushte optimale në Mavrovë të Maqedonisë së Veriut.
Skuadra e drejtuar nga Ismet Munisi gjatë kësaj periudhe e ka zhvilluar edhe një ndeshje miqësore më skuadrën Struga Trim & Lum duke fituar me rezultat 2:1 derisa më parë ka luajtur me Trepçën ’89 ku ka barazuar me shifrat 1:1.
Prishtina tashmë do t’i vazhdojë përgatitjet në Kosovë deri në fillim të kampionatit ku pritet ti zhvillojë edhe disa ndeshje kontrolluese.
Te Prishtina janë bërë shumë ndryshime për edicionin 2022/2023. Janë larguar shumë lojtarë që kanë bartur barrën kryesore dhe kanë ardhur shumë të tjerë.
Genc Hamiti, Korab Luma, Hasan Hyseni, Andi Salihu, Kreshnik Uka, Endrit Baholli, Mërgim Pefqeli, Besir Ramadani, Ramiz Bytyqi, Marclei Santos, Egzon Bislimi, Gentrit Dumani, Muhamed Useini, Butrit Bulliqi dhe Ardi Ajdini janë lojtarët që deri më tash i janë bashkuar edhe zyrtarisht “bardhekaltërve”.