Kosova në “Berlinale” kërkon mundësi të reja për filmin vendor

Kosova në “Berlinale” kërkon mundësi të reja për filmin vendor

Promovimi i kinematografisë kosovare e gjetja e mundësive për bashkëprodhime, sikurse edhe e kontakteve me programerë festivalesh a kompani të shitjes, mbeten objektivat e Qendrës Kinematografike të Kosovës edhe në prezantimin e gjashtë në “Berlinale”.

Festivali i filmit në Berlin hapi edicionin e 67-të të enjten mbrëma. Shtandi prej 20 metra katrorësh – ku shihen posterë të tre filmave kosovarë që do të shfaqen në kuadër të “European Film Market” – është hapësira që kanë zënë Kosova e Shqipëria në këtë festival prestigjioz. I vendosur përkrah shtandeve të Lituanisë, Gjeorgjisë e Marokut, shtandi i përbashkët i të dyja vendeve, për dhjetë ditë, do të shërbejë si pikë referuese e promovuese e kinematografisë shqiptare. Në kuadër të këtij organizimi do të shfaqen tre filma kosovarë, duke përfshirë “Histori maje kulmi” nën regji të Gazmend Nelës, “T’padashtun” nën regji të Edon Rizvanollit dhe “Home Sweet Home” nën regji të Faton Bajraktarit.

“Qendra Kinematografike e Kosovës gjatë festivalit të madh Berlinale ka për qëllim promovimin e kinematografisë kosovare, veçanërisht projektet që janë në zhvillim e sipër, gjetjen e mundësive për bashkëprodhim, për premierë të filmit si dhe për kompani të shitjeve”, ka thënë Arben Zharku, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, i cili është pjesë e ekipit kosovar që po qëndron në Berlin

 

Shpërndaje në: