Granit Xhaka mund të mos udhëtojë në SHBA me Arsenalin – Kjo është arsyeja
Arsenali është duke u përgatitur për t’u nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të vazhduar me fazën e para-sezonit.
Megjithatë, Granit Xhaka mund të mos përfshihet në listën e futbollistëve që do të udhëtojnë drejt SHBA-ve.
Mesfushori nga Kosova mund t’i mungojë Mikel Artetas në këtë fazë, pasi ai nuk është i vaksinuar kundër koronavirusit.
Rregullat për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të rrepta dhe sipas “Football.London”, personi që udhëton drejt këtij vendi duhet të dëshmojë se është i vaksinuar.
Te Arsenali nuk është bërë e ditur lista se cilët futbollistë janë të vaksinuar, por besohet se Xhaka është njëri nga ata që nuk ka pranuar të vaksinohet.
Në vitin e kaluar ishte konfirmuar nga Kombëtarja e Zvicrës se 29-vjeçari nuk kishte marrë vaksinat kundër koronavirusit, teksa ai kishte rezultuar pozitiv në atë kohë.
Kësisoj, udhëtimi i Xhakës me “Topçinjtë” drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës është vënë në dyshim tashmë.
Ruben Loftus-Cheek dhe N’Golo Kante së fundmi nuk udhëtuan me Chelsean drejt SHBA-ve, pasi të dytë besohet se nuk janë të vaksinuar gjithashtu.
Ndryshe, Arsenali në turneun para-sezonal në SHBA do t’i zhvillojë tri ndeshje miqësore, kundër Evertonit, Orlando Cityt dhe Chelseat.