Rraskapitje deri në palcë – Usyk noton për 5 orë pa u ndalur në përgatitjen për Joshuan
Boksieri ukrainas, Oleksander Usyk ka një regjim brutal të stërvitjeve për ta sjellë trupin e tij në formë.
Ukrainasi ka notuar gjithmonë para ndeshjeve nga 5 orë pa u ndalur, thotë kundërshtari i tij i mëhershëm, Dereck Chisora, shkruan Periskopi.
Usyk dhe Joshua do të takohen në një rimeç të madh në Arabinë Saudite me 20 gusht të këtij viti.
Chisora - i cili luftoi Usykun në vitin 2020 gjatë pandemisë dhe humbi me një vendim unanim të gjyqtarëve – pranoi se ishte i hutuar nga pretendimi e ukrainasit se ai noton për 5 orë pa u ndalur, por u bind kur pa pamjet në video të boksierit duke notuar për orë të tëra.
“I thashë se po gënjen, nuk mund të notonte për pesë orë”, shtoi ai.
“Por trajneri i tij më tha se ishte e vërtetë dhe më pas më tregoi një video të tij në këtë pishinë të madhe olimpike vetëm duke shkuar lart e poshtë për pesë orë”, tha Chisora.
Kujtojmë se Usyk ishte pjesë e luftës në Ukrainë, por që u largua nga atje për t’u takuar me Joshuan./Periskopi/