Grindavecja

Grindavecja

Mbrëmë, Presidentja Osmani kishte zgjedhë Interaktivin e KTV-së për ta dëshmuar se është kthyer gjallë e shëndosh nga Tajlanda e Singapori. Si zakonisht, e dha një intervistë të pezmatuar ‘urbi et orbi’, rrugës duke ia testuar kufijtë e durimit një gazetari korrekt që e pati përballë.

Shkruan: Periskopi

Ca javë më herët, një prezantuese turke e pagoi me burg përdorimin alegorik të një thënie të vjetër popullore – se kur hyn kali në pallat nuk bëhet kali mbret, por pallati shndërrohet në ahur. Gazetares iu mvesh se kishte aluduar në Presidentin e Turqisë i cili ishte ndier personalisht i ofenduar.

Ndoshta thënia e saj ishte e pavend në kontekstin politik të Turqisë, mirëpo s’do mend se mbeti në mbamendje si një urti tepër e dobishme. Vërtet, në kulturën shoqërore e institucionale të nënqiellit ballkanik ka panumër situata kur institucioni dështon ta diciplinojë dhe ta normalizojë individin, dhe kur bëhet e kundërta: institucioni merr tiparet e individit që e udhëheq atë. Le ta quajmë këtë fenomen individualizim i institucionit – e që nuk tingëllon edhe aq keq, në sipërfaqe.

Megjithatë, qëllimi i pallatit nuk është shndërrimi në ahur. Keni parasysh, nuk është i pamundshëm, por s’do të ishte i udhës. Institucionet, sidomos ato qeverisëse, krijohen ne emër të normave publike e politike që e qeverisin shoqërinë. Me dukje dhe përmbajtje, ato janë përfaqësuese e zbatuese të këtyre normave. Andaj, një ndër kushtet kryesore që të bëhesh pjesë e këtyre institucioneve është t’i pranosh dhe t’iu nënshtrohesh atyre normave – e jo që ato të të përshtaten ty. Mbase, ato edhe mund t’ia përshtatësh vetes, mirëpo atëherë ato shndërrohen në ahur. Figurativisht, të jemi të qartë ?

Pikërisht kjo dilemë na sillej në kokë teksa përcjellnim intervistën e Osmanit në Interaktiv të KTV-së. Çfarë kuptimi e përmbajtje ka sot zyra dhe institucioni i Presidentit? Sa herë deri sot ky institucion suprem u detyrua t’i përshtatet karaktereve, dëshirave, traumave e komplekseve të individëve që e okupuan atë – sado përkohësisht? Sa janë të fuqishme normat tona politike e publike, të mishëruara në dukjen e përmbajtjen e Zyres së Presidentit?

Ja që mbrëmë e patëm rastin ta shohim një petk të ri të Zyres së Presidentit të Republikës së Kosovës – të përshtatur sipas karakterit dhe dëshirave të personit që aktualisht e banon atë. Çka pamë, për më shumë se një orë ishte një format i ri presidencial: agresiv, grindavec, përplot opinione e emocione, përplot konstatime konfliktuale lokale, rajonale e ndërkombëtare – krejt këto të mbështjella me fiksimin mbi pagabueshmërinë personale. Kjo, meqë për Osmanin, personalja tashmë është presidenciale.

Përmbledhur, në intervistën e mesnatës Osmani konfirmoi pakënaqësitë e personale/presidenciale me Qeverinë e Shqipërisë, me ndërmjetësuesin e Brukselit, me opozitën kosovare, me mediat shpifëse të regjimit të kaluar (patjetër, përfshirë edhe këtë portal lajmesh) – dhe vazhdoi të na përkujtojë për armiqësinë historike që kemi me regjimin dhe shtetin serb, si atë të djeshëm ashtu edhe këtë të sotëm.

Duke qëndruar fuqimisht në linjë me qeverinë aktuale, Osmani u përkujdes që të mos ketë faj për asnjë gjë të gjallë mbi këtë tokë. Të gjitha dëmet e sotme dhe të këqijat e djeshme ishin dhe mbesin faj i tjetërkujt. Sikurse edhe kryeministri Kurti këto ditë, edhe Osmani mbrëmë u përkujdes që ta përgatis publikun që për çfarëdo vendimi të keq që mund/do të merret në të ardhmen, fajin duhet ta kërkojë kudo tjetër por jo në adresë të saj. Dhe, sikurse edhe Kurti, nuk e dha asnjë përgjigje të qartë as në pyetjet më konkrete të Eraldin Fazliut.

Këtu, sa për fillim, do t’i shkoqisim vetëm dy: pyetjen rreth zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit, si dhe pyetjen rreth qëndrimit (të përsëritur pardje) të ndërmjetësuesit të BE-së në Dialog, Miroslav Lajcak, mbi domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe. Në të dy pyetjet, Osmani u përgjigj me bishtërime. Për çështjen e Manastirit tha se vendimet e Gjykatës kushtetuese po përkrahen selektivisht – për diçka e po, e për diçka jo dhe se, natyrisht, s’bën kështu – kurse sa për deklarimet e Lajçakut e preu shkurt: tha se ai nuk është president i Kosovës dhe pikë. Zajednica nuk do të kalojë.

Tutje, për Osmanin, nisma rajonale Open Balkan është ndër çështjet më të parëndësishme në Ballkan, ndërkohë që Marrëveshja e saponënshkruar nga Kurti për rrymën e veriut të Kosovës dallon shumë nga e vjetra dhe, patjetër, është më e mirë dhe ‘më e qartë’. Edhe diçka për Mitrovicë? Osmani tha se i din individët të cilët në qershorin 1999 i kishin zmbrapsur mitrovicasit në përpjekjet që të kthehen në shtëpitë e veta në veri të qytetit – por ja që nuk deshti të përmend emra për t’i ikë fesatit. Jemi mirënjohës, patjetër.

Përndryshe, gjatë gjithë intervistës, Osmani ndjehej e penguar nga pyetjet e gazetarit Fazliu. ‘Nuk mund të përgjigjem nëse vazhdimisht në ndërpreni’, i tha njeriut i cili e ka punë të përditshme (ose të përnatshme?) të shtrojë pyetje.

Disa herë, Osmani e theksoi Kushtetutën si udhëzuese të shenjtë në punët e saja ditore, por e ri-dëftoi edhe se ka problem me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Tërthorazi, ajo e formuloi një ultimatum: ose do të pranohet opinioni i Kushtetueses për Asociacionin, ose nuk do të respektohet vendimi për Manastirin e Deçanit. Sipas saj, nuk mund të ketë zbatim selektiv të dy vendimeve të njëjta. Me gjasë, në këtë moment, intervistuesi Fazliu nuk ia doli t’ia përkujtojë Presidentes se nuk bëhet fjalë për dy vendime – por për një opinion dhe një vendim.

Na vazhdim, pasoi logjika tashmë e etabluar e Qeverisë së Ndryshimit, e karakterizuar me ngatërrim të tezave si zëvendësim për përgjigje: pse nuk po merret bashkësia ndërkombëtare më shumë me Serbinë kriminale dhe strukturat paralele, por me Asociacion? Pse ju mediat nuk po merreni më shumë me Serbinë, por po e tematizoni Manastirin e Deçanit? Pse nuk po flasim për 20 vitet e hajnisë e korrupsionit, por po përqëndrohemi (mbase, pa nevojë?) në çështjet e aktualitetit? Madje, sipas Osmanit mbrëmë, intereset e partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës dhe intereset e udhëheqjes së Kosovës nuk janë dosido të njëjta. Ato dallojnë dhe, shpeshherë mund të jenë edhe të kundërta. Ok, nëse qenka kështu, a mundemi se paku të mos i quajmë ‘partnerë’ më tutje? Mbase do të ishte më mirë t’i emërtojmë oponentë, konkurrentë apo edhe rivalë?

Krejt në fund, nëse mbetet edhe diçka që ia vlen të përmendet, është ajo se, sipas Osmanit, Republika e Kosovës aktualisht ndodhet në servisim, ku po zhvillohet procesi i riparimit të saj nga dëmet njëzetvjeçare. Përgjigja e saj në pyetjen e Fazliut që ta saktësojë kohëzgjatjen e këtij riparimi ishte tipike për një ustah servisimi: ‘Çfarë pyetje është kjo? Kur të kryhet – kryhet!’

Hot air. Për një orë e gjashtëmbëdhjetë minuta, në zapullimën e mbrëmjes së 30 qershorit.

Shpërndaje në: