Rreziqet nga hezitimi europian për Ballkanin
Shkruan: Mero Baze
Ka shumë debate mbi gjuhën e ashpër të përgjigjes së përbashkët të tre vendeve të Ballkanit Perëndimor ndaj dështimit të zgjerimit të Bashkimit Europian në Ballkan, por nuk ka asnjë mëdyshje se dhe arsyet e dështimit kanë të bëjnë me faktin që Bashkimi Europian duket që nuk është gati të pranojë Ballkanin.
Shpresa e zgjerimit të Bashkimit Europian në Ballkan, tani është konvertuar në një konflikt të dëshpëruar mes Ballkanit dhe BE, e cila në thelb është një konflikt i përballjes mes identitetit të Evropës dhe identitetit të Ballkanit.
Kjo duket qartë në tre nga dështimet e Bashkimit Europian në Ballkan.
E para, pafuqia për të zgjidhur një konflikt të radhës mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që erdhi pas një telendisje kombëtare të Maqedonisë së Veriut me Greqinë, e cila e detyroi të ndërronte emrin e shtetit, të rrugëve, të aeroportit dhe tekstet e historisë. Kur Bullgaria e pa se kjo funksionoi, natyrisht që zuri radhën për poshtërimin e radhës.
E dyta, është qasja raciste e Evropës për 2 milionë shqiptarët e Kosovës, duke u mohuar liberalizmin e vizave. Bashkimi Europian ka liberalizuar vizat dhe për Kolumbinë apo Ukrainën, por nuk e bën atë për 2 milionë qytetarë të Kosovës, dhe kjo me çdo manual ta interpretosh, është thjesht shfaqja e racizmit ndaj një popullsie që ka mbetur në dorë të tekave raciste të politikës elektorale europiane.
Është paradoks i madh që Perëndimi, i cili çliroi Kosovën duke bombarduar Serbinë për t’u dhënë të drejta qytetareve të saj, tani izolon qytetarët e vendit për lirinë e të cilit u investua.
Dështimi i tretë, është vetë përgjigjia europiane ndaj konfliktit në Ukrainë. Mënyra e përciptë se si Bashkimi Europian bën pranimin e kandidaturës së Ukrainës dhe Moldavisë si vende kandidate për anëtare, në të njëjtën ditë kur dëshmon se nuk zgjidh dot një krizë bilaterale në Ballkan, e kthen në humor të zi pranimin e aplikimit të tyre, duke u treguar se ata më shumë se sa perspektiva e antarësimit, i pret ferri i konflikteve bilaterale brenda BE, apo në rastin më të keq, sjellje raciste ai ajo ndaj izolimit të qytetarëve të Kosovës.
E thëne shkurt, Bashkimi Europian nuk është gati as për Ballkanin Perëndimor dhe as për një përgjigje europiane ndaj konfliktit në Ukrainë. Më shumë se sa problemet e Ballkanit që janë të shumta, qëndrimet e sotme dëshmojnë dobësinë dhe konfuzionin e Bashkimit Europian, i cili nuk ka fuqi të pranojë realisht Ballkanin brenda vetes.
Procesi tregoi se kriteret formale teknike që u janë vënë vendeve të Ballkanit nuk janë kriteri përfundimtar për t’u pranuar. Praktikisht Europa po reziston për të mbrojtur identitetin e saj historik, përball hapjes, dhe nuk është gati të përballet me identitetin ballkanik brenda saj.
Nuk është e vërtetë që çdo shtet i cili angazhohet të respektojë vlerat e Bashkimit Europian mund të bëhet anëtar i saj. Duket se më e rëndësishme është ajo që nuk është shkruar në konventën e zgjerimit, ku çdo shtet anëtar duhet të pranojë identitetin ballkanik të kandidatëve. Kjo duket se është thelbi i pengesës për zgjerim.
Hezitimi europian për të pranuar Ballkanin, ka nxjerrë pastaj në pah dhe gjuhën e hidhur të liderëve të Ballkanit ndaj Europës, e cila duket se justifikon hezitimin e tyre për t’i pasur këto vende anëtare. Dhe kështu procesi shkon në drejtim të paditur.
Në këto kushte, Europa, ose duhet të bëhet protektore e Ballkanit duke e marrë atë nën sqetull dhe duke guxuar të shtyhet deri në Ukrainë, duke e shndërruar konceptin gjeografik të Europës në koncept politik, ose duhet të ruajë identitetin e saj historik dhe t’ua bëjë të qartë Ballkanit, por dhe Ukrainës, se për ta do ketë një partneritet me Europën, por jo një anëtarësim në të.
Përgjigja më e mirë ndaj konfliktit në Ukrainë do të ishte një Europë e guximshme që i del zot konceptit të saj politik nga Parisi në Ukrainë, por duket se kjo dështoi.
Alternativa tjetër mbetet që Ballkani, por dhe Ukraina, të trajtohen si partnerë të Europës. Si të tillë mos prisni që ati të zhvillojnë doemos vlera europiane dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Anëtarësia në Bashkimin Europian është një ideal kombëtar i shumë prej këtyre vendeve, dhe ky ideal, ishte një motiv i madh që të ishin dhe vende demokratike dhe pro-perëndimore. Në mungesë të këtij ideali, paqëndrueshmëria demokratike, linjat pro ruse dhe pse jo autokracitë, e kanë sot ditë feste.