Notarët ukrainas e kërkojnë suksesin në pishinë, gjërsa lufta po vazhdon
Të pushtuar nga shqetësimi për familjen, zemërimi ndaj kolegëve rusë dhe pasiguria për të ardhmen, notarët ukrainas po kërkojnë sukses në Kampionatin Botëror në Budapest, nën hijen e luftës, ka shkruar AFP, të enjten. Të shpërndarë nëpër Evropë që nga pushtimi i Rusisë në shkurt, jeta për notarët më të mirë të Ukrainës, si Mykhailo Romanchuk, babai i të cilit “lufton në frontin lindor”, është përmbysur.
“Çdo mëngjes ai më dërgon një mesazh se është mirë”, tha Romanchuk, 25 vjeç, pasi fitoi një medalje bronzi në 800 metra, stil i lirë, të martën.
Babai dhe djali refuzojnë të flasin me telefon për të shmangur zbulimin e vendndodhjeve të ushtrisë ukrainase për rusët.
“Nuk jam as i sigurt se ai mund ta shohë finalen”, tha Romanchuk.
Ndërsa objektet e notit në qytetet si Kharkiv dhe Mariupol janë shkatërruar nga bombardimet, lidhjet e huaja të notarëve erdhën në ndihmë. Një ofertë nga notari gjerman, Florian Wellbrock – i cili fitoi medaljen e argjendtë në 800 metra përpara ukrainasit – për t’u bashkuar me të në Gjermani për stërvitje u pranua nga Romanchuk pas dhjetë ditësh diskutimi.
“Mendja ime ishte të shkoja në luftë dhe të mbroja shtëpinë time”, tha Romanchuk, i cili fitoi medaljen e argjendtë në 1500 metra dhe medaljen e bronztë në 800 metra në Lojërat Olimpike të Tokios vitin e kaluar. “Por me familjen time vendosëm që nuk mund të bëj asgjë me armë dhe se duhet të vazhdoj të bëj atë që bëj më mirë, të notoj shpejt”, tha ai.
Notarë të tjerë ukrainas kanë gjetur strehim në Itali, Lituani, Hungari dhe gjetkë. Andrii Govorov, mbajtësi i rekordeve botërore në 50 metra flutur, ka shëtitur nëpër vende stërvitore, duke përfshirë Hawaiin, Monacon dhe Gjermaninë, ndërsa gruaja dhe djali i tij trevjeçar tani jetojnë në Austri.
“Ata u arratisën së pari në Poloni, dy ditë përpara se raketa e parë ruse të binte”, tha Govorov, pranë pishinës në Budapest.
Që nga pushtimi, 30-vjeçari ka ndihmuar në dërgimin e ndihmave në qytetin e tij të lindjes, Dnipro, dhe i ka udhëhequr thirrjet për ndalimin e garave kundër notarëve rusë.
“Mendjet tona nuk ishin të përqendruara fare te përgatitja”, tha Govorov, një rusisht-folës i lindur në gadishullin e Krimesë të aneksuar nga Rusia në vitin 2014. Më herët gjatë javës ai humbi finalen e tij të parë në 50 metra flutur që nga viti 2009.
“Edhe vitin e kaluar, pas nëntë muajsh pushim me Covidin, unë mund të performoja mirë në kampionatet evropiane”, tha ai me hidhërim. “Kur nuk keni shtëpi, nuk keni hapësirë për të qenë të sigurt dhe të relaksoheni, ka qenë një sezon i vështirë”.
Notarët nga Rusia dhe Bjellorusia u pezulluan në mars prej organit qeverisës botëror “FINA” nga pjesëmarrja në Botërorin e Budapestit për shkak të pushtimit. Kampioni i dyfishtë olimpik i notit rus, Evgeny Rylov, u ndalua gjithashtu për nëntë muaj nga “FINA”, pasi mori pjesë në një tubim pro pushtimit të organizuar nga presidenti Vladimir Putin. Rylov ishte një nga disa sportistët që morën pjesë në tubim, të cilët mbanin simbolin pro luftës së shkronjës “Z” në veshjet e tyre.
“Brenda meje, isha gati të shkoja dhe ta vrisja”, tha Romanchuku për Rylovin. “Më parë ishte shok i mirë, por gjithçka ndryshoi”.
Govorov tha se ai iu afrua sportistëve elitarë rusë në fillim të luftës, por ata e bllokuan atë në kanalet e mediave sociale.
“Asnjë sportist i vetëm rus i profilit të lartë nuk protestoi publikisht kundër luftës, ose përdori zërin e tij, mjetin më të rëndësishëm të fuqisë së butë që ata kanë”, tha ai. “Ata janë gjithashtu qytetarë dhe kanë përgjegjësi, nëse heshtin do të thotë se mbështesin qeverinë e tyre”.
Govorov tha se shpreson që ndalimi i notarëve nga Rusia të zgjatë të paktën derisa lufta po vazhdon.
“Rusia duhet të paguajë një çmim për atë që ka bërë, nuk jam i sigurt se do të ketë ndonjë pranim në të ardhmen për ta”, tha ai.
Për notaren Kamilla Isaeva, 16 vjeçe, e cila u largua nga Ukraina më 20 mars, pasi mori një ofertë me disa shokë të skuadrës për t’u stërvitur në Hungari, lënia e familjes së saj ka qenë veçanërisht e vështirë.
“Larg tyre e mbajta veten, duke thënë se ishte vetëm për disa javë, si në një kamp normal stërvitor”, tha Isaeva, e vetmja femër në skuadrën me dhjetë notarë. “Por unë kam jetuar jashtë një valixhe për muaj të tërë. Ju shkoni në stërvitje dhe mendimet tuaja largohen, te familja, në Ukrainë, në luftë”.
Ekipi i saj, gjithashtu duke u përgatitur për Kampionatin Evropian të të rinjve muajin e ardhshëm, mban një minutë heshtje çdo ditë për t’i nderuar viktimat e luftës.
“Ne nuk e dimë se çfarë na pret e ardhmja, ndoshta trajneri ynë do të na gjejë diku tjetër për të shkuar në Hungari, ndoshta në ndonjë vend tjetër”, tha ajo./Koha