Kush janë Hyseni nga Malisheva dhe Murati nga Skënderaji që e nervozuan sot Kurtin në Kuvend
Ose: Për herë të parë, Kurti pezullon ‘vullnetin e popullit”
Shkruan: Dafina Demaku
Albin Kurti është politikani që në fjalimin e fitores së 14 shkurtit, ia kushtoi disa fjali gjyshe Xhezides nga Ferizaji, duke qenë se 107 vjeçarja, e kishte votuar atë. Gjyshe Xhezidja, ishte ‘mishërimi’ i popullit për fitoren dërmuese të Kurtit. Por, pse Murati nga Skënderaji dhe Hyseni nga Malisheva, ia vranë veshin sot Kryeministrit?
Nuk ka njeri në Kosovë që gjatë angazhimit të tij politik, ta ketë thënë më shpesh fjalën ‘popull’, sesa Albin Kurti. Nëse do të punonim me një program kompjuterik statistikash për përdorimin e një fjale, kjo do të faktohej tepër lehtë.
Ai shitej lideri që ‘buronte’ nga populli: Ishte njeriu i popullit. Populli e zgjodhi me më shumë se 50%. Ai s’kishte punë me askënd, përveç me Popullin. Ai kërkonte mendimin, vlerësimin, interpretimin, aminin, refuzimin, pranimin, gjithçka që kërkon një proces – e kërkonte veç te populli.
Ai e kërkonte bashkimin kombëtar, se ky ‘ishte vullneti i popullit’ (minus Kushtetuta). Ai performonte me gaz lotsjellës në Kuvend se ‘ky ishte vullneti i popullit’ (minus demokracia). Në të gjitha këto procese, Kurti nuk konsultoi ekspertë. E kishte POPULLIN.
Kaq shumë ngarkesë kishte fjalori i tij publik me fjalën popull dhe i kombinuar me aksione që ‘buronin nga populli’ (natyrisht, deri sa erdhi në pushtet) saqë u vlerësua – me të drejtë – si populisti më i madh ndonjëherë në Kosovë.
Por, gjërat morën kahje tjetër, sot: 23 qershor 2022.
Në seancën për Trustin, çështjen më të diskutueshme të shumë prej ditëve, kryeministri Albin Kurti e vlerësoi ‘të padrejtë’ kërkesën e popullit për tërheqje të parave prej Trustit. Për kundërshtimin e Trustit, me Kurtin mund të bëhen sot edhe kundërshtarët e tij. Sidoqoftë, kjo nuk ka lidhje.
Është interesant se si dy personazhe fiktive: Murati nga Skënderaji dhe Hyseni nga Malisheva (ose Prishtina, saktësisht nuk më kujtohet tani), e diktuan diskursin e fjalimeve në Kuvend.
Derisa Kurti akuzoi opozitën se po vepron si politikanja franceze e ekstremit të djathtë Marine Le Pen, opozita i tha Kurtit të merret me këto filozofi sa të dojë, por se ata kërkonin Trustin për ‘Muratin nga Skënderaji’, ‘Gencin nga Gjilani’ (Replikat Albin Kurti – Ganimete Musliu. Më vonë, Kurti e shpikë edhe ‘Hysenin’).
Pavarësisht se kërkesat e opozitës sot, mund t’i interpretojmë të ngjashme me të Kurtit opozitar dikur: “është vullnet i popullit”, ‘populli ka nevojë’, etj., sot kryeministri tregoi për herë të parë një këndellje nga gjumi i gjatë i populizmit në të cilin ndodhej që moti. Edhe në diskursin arsyetues ndaj marrëveshjes për energjinë, dje i dha disa shenja të këtij lloji – pra kapërcimit real prej politikanit populist në ballafaqim me realpolitikën, por kjo e sotmja, ishte më interesant:
“Populli nuk është ekspert”.
Kjo fjali, doli nga goja e kryeministrit dhe e njëjta gojë vazhdoi tutje:
“Nëse e pyesim Muratin e Skënderajit e Hysenin e Malishevës, për çka na duhen ekspertët”, pyeti Kurti.
Kështu, Kryeministri sot ra në llafet e të gjithë atyre që partia e tij, në opozitë e në pushtet, i ka sharë, fyer, ofenduar, linçuar e çkamos tjetër.
Se vetëm populisitët si Kurti kërkonin çdo përgjigje te populli.
Dhe Kurti e pranoi këtë, kur ‘u djeg’ më së shumti. Një kërkesë e opozitës që prekë ‘çështjen ekonomike të shtetit’, siç është Trusti. Dhe, m’u kujtua një fjali që e kam lexuar, se si një politikan amerikan, e kishte thënë pak pas përfundimit të Luftës Civile në Amerikë: ‘Këmishat e gjakosura t’i fusim në fiokë, e të fokusohemi në punët e ekonomisë’.
Kurti, dje – me arsyetimin e marrëveshjes ‘së keqe por të nevojshme’ të energjisë me Serbinë, dhe sot me nëntekstin se ‘populli nuk vetet për gjithçka’ – na tregoi se – ndoshta – e ka kuptuar, se është gabim (stër)përdorimi i ‘popullit’ për gjithçka.