Bylbyl Sokoli i befasuar me trajnerin Giresse: Nuk po mundem me kuptu pse Paqarada nuk është përfshirë në këto ndeshje!
Sonte Kombëtarja e Kosovës është gati të përballet me Qipron me fillim nga ora 18:00 në kuadër të edicionit të ri të Ligës së Kombeve.
Kombëtarja jonë është gati që të nis këtë edicion të ri nga grupi C, shkruan Periskopi.
Kjo njëherit do të jetë edhe ndeshja e parë zyrtare për trajnerin e ri, Alain Giresse.
Për të njohur më shumë ecurin e këtij edicioni dhe si do të paraqitet Kosova me trajnerin e ri, Periskopi ka kontaktuar me trajnerin dhe njohësin e futbollit në vendin tonë, Bylbyl Sokolin.
Sokoli tha se pret fitore nga bllafaqimi me Qipron, duke u bazuar në nivelin e lojtarëve që luajnë në liga të forta.
“Kosova duhet të shkojë për fitore, pasi kemi skuadër shumë cilësore dhe lojatarë që luajnë në nivele të larta”.
“Profa” tregoi se është i befasuar se pse në Kombëtare nuk është thirrur Leart Paqarada, ku tashmë dihen mungesat që ka skuadra jonë.
“Nuk po mundem me kuptu se pse Leart Paqarada nuk është përfshirë në këto ndeshje, pasi dihet mungesa e Florent Hadergjonaj dhe Mërgim Vojvodës”, vazhdoi ai.
Për fund Sokoli tha se beson në fitore të sigurtë të Kombëtares tonë.
“Unë pres fitore të sigurtë të Kosovës”, përfundoi tekniku.
Kujtojmë se Kosova pas ndeshjes me Qipron, me datën 5 qershor e pret Greqinë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.