Kastrati: Do të japim maksimumin për t’i treguar vlerat e shtetit tonë
Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur sot stërvitjen e fundit në Kampin Nacional në Hajvali para udhëtimit për në Qipro, ku më 2 qershor do ta luajë ndeshjen e parë të edicionit të ri në Ligën e Kombeve.
Duke pasur parasysh se në stërvitjen e djeshme u zhvillua edhe një ndeshje kontrolluese, përzgjedhësi Alain Giresse vendosi që seanca e sotme stërvitore të jetë më shumë rigjeneruese dhe relaksuese.
Pas stërvitjes, Lirim Kastrati e vlerësoi si shumë të rëndësishme përballjen me Qipron.
“Pres rezultat pozitiv. Të gjithë jemi në formë të mirë, derisa kur je pjesë e ekipit kombëtar është një ndjenjë ndryshe. Besoj se do të japim maksimumin për t’i treguar vlerat e shtetit tonë”, ka thënë Kastrati.
Ai beson që Kosova mund të dalë e para e grupit në këtë edicion të Ligës së Kombeve.
“Me punën serioze që jemi duke e bërë besoj se do të arrijmë sukses, ngase kemi kualitet dhe potencial”, ka shtuar ai.
Kastrati pret që “Dardanët” t’i qëndrojnë përkrah Kombëtares dhe së bashku t’i gëzohen sukseseve të reja.
Ekspedita e Kombëtares niset për në Larnaca, të mërkurën në mëngjes.