Abramovich përshëndetet me tifozët e Chelsea me një letër lamtumirëse

Abramovich përshëndetet me tifozët e Chelsea me një letër lamtumirëse

Periudhës së Abramovich te Chelsea i erdhi fundi.

Biznismeni rus ‘u detyrua’ ta shes klubin anglez pas sanksioneve britanike ndaj tij si rezultat se ai është mik i afërt me Putinin i cili ka nisur tash e më shumë se një muaj pushtimin ndaj Ukrainës.

Abramovich ishte i respektuar te tifozët e Chelsea dhe u përkujdes që të përshëndetej me ta.“Kanë kaluar gati tre muaj që kur kam shpallur qëllimin tim për të shitur Chelsea FC. Gjatë kësaj kohe, skuadra ka punuar shumë për të gjetur kujdestarin e duhur për Chelsea FC që do të ishte pozicioni më i mirë për të udhëhequr me sukses Klubin në kapitullin e tij të ardhshëm.

Pronësia e këtij klubi vjen me përgjegjësi të madhe. Që kur erdha në Chelsea gati njëzet vjet më parë, kam dëshmuar drejtpërdrejt se çfarë mund të arrijë ky klub. Qëllimi im ka qenë të siguroj që pronari i ardhshëm të ketë një mentalitet që do të mundësojë sukses për ekipin e burrave dhe grave, si dhe vullnetin dhe përpjekjen për të vazhduar zhvillimin e aspekteve të tjera kyçe të Klubit, si Akademia dhe puna jetike e Fondacioni Chelsea.

Jam i kënaqur që ky kërkim tani ka arritur në një përfundim të suksesshëm. Ndërsa ua dorëzoj Chelsean kujdestarëve të saj të rinj, do të doja t’u uroj atyre më të mirat, si brenda dhe jashtë fushës.

Ka qenë një nder i jetës të jem pjesë e këtij klubi – do të doja të falënderoja të gjithë lojtarët e kaluar dhe aktual të Klubit, stafin dhe sigurisht tifozët për këto vite të jashtëzakonshme.Jam krenar që si rezultat i sukseseve tona të përbashkëta, miliona njerëz tani do të përfitojnë nga fondacioni i ri bamirës që po krijohet. Kjo është trashëgimia që kemi krijuar së bashku”, përfundon letra e miliarderit rus.

Gjatë periudhës 19 vjeçare të Abramovich, Chelsea fitoi pesë tituj në Premier Ligë dhe dy Liga të Kampionëve.

Shpërndaje në: