Thirrjet aktuale të një përvjetori

Thirrjet aktuale të një përvjetori

Vetëm pikëpamja që i sheh gjërat ne retrospektivë arrin të shohë të dukshmen. Gjithaq, në denoncimet e protestës së 10 shkurtit vazhdojmë të gjejmë arkitekturën e ngrehinës së sotme, që përjashton vullnetin kolektiv të popullit, ashtu siç vazhdojmë të gjejmë në kërkesat e kësaj proteste rrugëdaljen nga ky qark vetëtëhuajsimi. 10 shkurti nuk është një përvjetor tipik, madje nuk duhet të jetë përvjetor për sa kohë që kërkesat politike të ngritura i kemi thuajse nevoja imanente. Si ngjarje politike e pa përmbyllur, por edhe si padrejtësi e pa shpaguar rëndon mbi ndërgjegjen kolektive e mbi përgjegjësitë institucionale vendore e ndërkombëtare.

Dhjetë vjet pas, si asnjëherë tjetër deri më tani, rreziqet e kumtuara në këtë protestë, po na shfaqen në formën më brutale, por ende jo në formën e tyre përfundimtare. Thuajse çdo proces i dëmshëm i ditëve të sotme, si pjesë apo shuma e tyre, janë veç pasoja, shkaqet dhe baza e të cilave gjenden në aranzhmanet e negociatave të Vienës dhe në pakon e Ahtisarit.  “Zajednica” nuk do të shfaqej po mos të ndodhte decentralizimi në baza etnike dhe asimetrik; shantazhet e Listës Serbe nuk do të kishin kurrfarë peshe sikur mos të ishin vendet e rezervuara; ushtria do të bëhej po të mos ekzistonte vota e dyfishtë në Kuvend, e mbi të gjitha porta hyrëse përmes së cilës Serbia po kthehet në Kosovë do të mbyllej njëherë e përgjithmonë.

Kësodore, padrejtësitë e theksuara në atë kohë, mbesin pengesa ngulfatëse për fatin e Kosovës edhe sot e kësaj dite, sidomos këtyre ditëve, si çasti i një ngjarje të paralajmëruar që më 10 shkurt 2007.  Decentralizimi në baza etnike që u tentua të rikthehej në formën e tij të bosnjëzimit përmes “Zajednicës” së vdekur, por që po tentohet të ringjallet; e drejta e vetos  e deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovë, të cilët po kushtëzojnë e sabotojnë çdo vendim të institucioneve të Republikës, duke e mbajtur peng tërë shtetin dhe duke e bërë kështu Serbinë hisedarë në çdo vendim të kushtëzuar paraprakisht; si dhe shuarja e TMK-së, si pasardhëse e UÇK-së dhe me këtë rast mbytja e frymës së saj si referencë për çlirim e pavarësi deri në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, na është kthyer në formën më poshtëruese dhe më të dëmshme përmes Gjykatës Speciale.

Drejtësia për vrasjen e Monit dhe të Arbenit, por edhe mundësimi i vullnetit politik kolektiv kërkon angazhim qytetar, në një kohë kur institucionet janë barrikaduar kundër vullnetit dhe interesave të popullit. Gjithmonë vjen një moment kur duhet të zgjedhësh në mes soditjes dhe veprimit. Në fakt, çasti ishte dhe është vazhdimisht aty, vetëm ne lëvizim ose jo në drejtim të tij, varësisht nga gjendja jonë – pjekuria do të thoshin disa, të tjerët do të thoshin interesat.

Argumenti për domosdonë e veprimit, si braktisje të soditjes e vëzhgimit u bë edhe më bindës javëve të fundit, kur ofensiva politike e Serbisë kundër Kosovës shkoi deri në vringëllimën e armëve nga ana e Serbisë dhe ngritjen në këmbë me të drejtë për urgjencën e krijimit të ushtrisë së Republikës. Janë dashur dhjetë vjet përpara se të kuptohet që shtetndërtimi qëndron mbi premisa të gabuara, por, përkundër kësaj, vazhdojmë të qeverisemi nga mendësi e struktura të njëjta.

Sot, nuk është aspak rasti që thirrjet “Jo negociata, VETËVENDOSJE!”  kanë ndërruar kuptim, apo parullat “poshtë pakoja e Ahtisarit” janë denoncuar. Si e para, ashtu edhe e dyta kumbojnë më shumë se kurrë, madje më shumë se atëherë, por për dallim nga 10 shkurti i 2010-së kur zëshëm paralajmëroheshin pasojat, tani në heshtje po i vuajmë ato. Ndërkaq, ecje progresiste sot, është domosdo kthim në protestën e 10 shkurtit, si përvetësim i kërkesave të saj; i denoncimeve të saj, e mbi të gjitha i paralajmërimeve, ngase esencialisht dhe për fat të keq asgjë më e pandryshueshme në këto dhjetë vjet s’ka ngelur se sa kërkesat politike të kësaj proteste. Madje janë bërë më imediate – më të zbërthyeshme e më të kuptueshme, aq sa edhe më mbytëse, tani kur edhe janë vënë në jetë.

Për rrjedhojë, sa më tepër që analizohet sfondi politik i protestës së 10 shkurtit në raport me ligjërimin e saj dhe me gjendjen në të cilën ndodhemi, aq më aktuale rezultojnë kërkesat dhe parullat e saja. Këtu e në vazhdim, pozicioni politik i Kosovës pambarimisht ka shkuar duke rënë. Gjatë kësaj periudhe, Kosova padurueshëm është gërryer përbrenda, për ta bërë faktike edhe gërryerjen së jashtmi nga Serbia. Prandaj, është e drejtë, madje e duhur që të thuhet se nën rrezet e ngjarjeve të sotme, protesta e 10 shkurtit jo vetëm që rikuptimësohet, por edhe elaborohet në tërësinë e saj, aq sa katandisja aktuale zbërthehet e shpjegohet nën vështrimin e 10 shkurtit, si një datë dhe  ngjarje që edhepse nuk arriti të ndalojë pakon e Ahtisarit, na i shpalosi deri detaje pasojat dhe rreziqet që na prisnin – të cilat po i ndiejmë aktualisht!

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në: