2 çrregullimet e personalitetit të Amber Heard, sipas psikologes
Një eksperte e dhunës në marrëdhënie, e thirrur për të dhënë dëshmi në padinë e Johnny Depp kundër ish-bashkëshortes dëshmoi se nga vlerësimi i bërë për Amber Heard, ajo zbuloi dy diagnoza psikiatrike – çrregullim të personalitetit kufitar dhe çrregullim të personalitetit histrionik.
Dëshmitarja e Depp, Shannon Curry, tha se diagnoza u vendos pas ekzaminimeve të vlerësimeve të mëparshme psikologjike të Heard. Sipas saj, sado e sofistikuar, “e lezetshme dhe vajzërore” mund të duket ajo, njerëzit me këto çrregullime mund të jenë “shkatërrues, dramatikë, të çrregullt dhe të paparashikueshëm” si edhe të zotërojnë “një shtysë themelore për të mos u braktisur, por edhe për të qenë në qendër të vëmendjes”.
Çrregullimi i personalitetit histrionik karakterizohet nga një model i sjelljeve të tepruar të kërkimit të vëmendjes, që zakonisht fillon në fëmijërinë e hershme. Curry tha se çrregullimi i personalitetit kufitar përfaqësonte një personalitet të paqëndrueshëm, vigjilent ndaj refuzimit dhe i karakterizuar nga “shumë zemërim, mizori ndaj njerëzve më pak të fuqishëm, shqetësimi për imazhin, kërkimin e vëmendjes dhe prirja për të fajësuar të tjerët.”
Më herët të martën, Tara Roberts, menaxherja e rezidencës së Depp në një ishull në Bahamas, dëshmoi se ajo ishte dëshmitare e një mosmarrëveshjeje midis çiftit gjatë së cilës “Amber po i thoshte atij se ishte një aktor i dështuar që do të vdiste si plak i shëndoshë e i vetmuar”.
Pak çaste më vonë, pasi Depp u përpoq të largohej, Heard u pa duke “përqafuar dhe puthur” aktorin dhe “i lutej të kthehej”. Roberts tha se Depp “nuk bëri asgjë”. Ajo më vonë vuri re se Depp kishte një “shenjë në hundë”.
Heard ka pohuar se ajo vuan nga stresi post-traumatik si rezultat i abuzimit të dyshuar nga Depp. Por të martën pasdite, Curry pohoi se stresi post-traumatik është një nga kushtet psikologjike më të lehta për t’u falsifikuar.
Oficerja e policisë në Los Angeles, Melissa Saenz, dëshmoi për vizitën në apartamentin e tyre në Los Angeles në maj të vitit 2016, vetëm disa ditë përpara se Heard të dorëzonte kërkesën për divorc dhe të paraqitej në gjykatë për të kërkuar një urdhër ndalimi, me një shenjë të madhe në fytyrë duke pretenduar se u shkaktua nga Depp.
Oficerja Saenz tha se Amber Heard kishte qarë, por nuk pa asnjë provë të një lëndimi. Avokatët e Depp thonë se dëshmia e Saenz është provë se Heard falsifikoi lëndimin për të dëmtuar reputacionin e Depp.