Një mendje e padegraduar akademike

Një mendje e padegraduar akademike

Shkruan: Ismail Syla

Nga shikimi i lajmeve pa zë, mbrëmë më ra në sy një duartrokitje frenetike e akademikëve të Kosovës. Kur u interesova se për çfarë duartrokitën, kuptova se po kremtonin alamet të arriture: botimin e përkthyer në shqip të mendimit të GJND-ë, dhënë 12 vjet më parë.

Betejën në GJND e fitoi një ekip ndërkombëtar me mendje brilante në fushën e historisë së shqiptarëve, të historisë së kushtetutave të Kosovës dhe intrepretues të shkëlqyer të Rezolutës 1244. Thelbi: Deklarat e Pavarësisë nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Në këtë betejë kontributi i mendjes akademike kosovare është zero. E të krenohesh me përkthim të materialeve, thuase janë dashur 12 vjet për t’u shqipëruar, vërtetë është qesharake.
2
Në një intervistë te portali “Kallxo.com” kryetari i ASHAK, Mehmet Kraja, ndër të tjera flet për dy mendje të degraduara, duke nënkuptuar mendjet e kryeministrit Rama dhe të Presidentit Thaçi (ky i yni, sipas M. K.) Më në fund nga goja e të parit të Akademisë u përmend emri i Thaçit. Por jo në kuptim pozitiv. Kjo është plotësisht në përputhje me botëkuptimin, moralin dhe formimin e tij. Nuk është i pari kryetar i ASHAK që ka urrejtje patologjike ndaj UÇK-së dhe presidentit Thaçi.
3.
Fryma anti-UÇK nuk është e rastit në ASHAK. Aty është një qerthull njerëzish nga periferitë e tokave shqiptare që në Kosovë kanë gjetur strehë dhe e kanë uzurpuar tash e sa dekada këtë institucion.
Akademik Kraja e di mirë statusin e ASHAK, e di edhe dallimin e saj me Akademinë serbe. Vërtet Akademia serbe, bashkë me kishën ortodokse serbe dhe armatën serbe kanë bërë elaborate dhe operacione antishqiptare, që nuk u bëjnë nder, por, kush e ndal ASHAK që të bëjë elaborate të mira për Kosovën, për shqiptarët dhe të ardhmen e tyre?
Kush e ndalon të bëjë elaborat kundër shpifjeve të Dick Martyt, të organizojë projekte shkencore për ndriçimin e luftës së UÇK-së, të organizojë konferencë shkencore për aktakuzën monstruoze ndaj liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po mbahen në burg, në Hagë.
Jo.
Akademikëve të periferive të tokave shqiptare gjithçka mund t’u pushojë në zemër e në mendje por jo emri, vepra dhe kontributi historik i liderëve të UÇK- së.
UÇK dhe liderët e saj janë të huaj për ta, dhe ata janë të ftohtë, shpërfillës, cinikë përballë tyre. Jo, nuk mund të thuhet shpërfillës, sepse ja përmendet Thaçi – si mendje e degraduar, që deshi të bëjë tradhti, e që do të dënohej nga historia.
Aktualisht Thaçi qëndron në burgun e Hagës.
Instinkti për ta sulmuar luanin e lidhur qenka instinkt universal i qenieve të gjalla.
4.
Sa i përket mendjes tuaj të padegraduar z. Kraja duhet kuptuar se ASHAK e drejtuar nga ju dhe sivëllezërit tuaj nuk shquhet as për të arritura supreme shkencore, as për reflektim moral dhe intelektual. Së paku Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës në dekadën e fundit të shekullit njëzet ishte pararojë e mendimit kombëtar dhe politik, ndërsa ASHAK as që mbahet mend pë ndonjë kontribut as në paqe e as në luftë.
ASHAK aktuale, mjerisht është pothuajse si Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës sot. I vetmi dallim, akademikët kanë privilegje materiale pakrahasimisht shumë.
5.
Z. Kraja, (të gjitha librat tuaja i kam lexuar) krejt çka mbaj mend nga prodhimet e mendjes tuaj të padegraduar janë disa tregime të shkurtëra shumë të mira dhe një shkrim publicistik që godet islamizmin radikal. A janë vlera supreme për statusin e akademikut?
6.
Shyqyr që të ka Kosova.
Nuk do ta lejosh copëtimin e saj, e as asociacionin e komunave serbe.

Shpërndaje në: