Ndodh edhe kjo në Serie A, futbollisti largohet nga loja pas 10 minutave shkaku i vathit
Një rast interesant u regjistrua sonte në ndeshjen mes Spezias dhe Interit në Serie A, e fituar nga “Nerazzurrët” me rezultatin 1:3.
Sulmuesi nga Angola, M’Bala Nzola, u zëvendësua vetëm dhjetë minuta pasi kishte hyrë në fushë, shkaku i një vathit.
Trajneri i vendasve, Thiaggo Motta, vendosi ta inkuadronte sulmuesin në lojë në vend të shqiptarit, Rey Manaj, në minutën e 60-të.
Por, gjyqtari kryesor i ndeshjes, Fabio Maresca, e vuri re se Nzola kishte një vath, gjë që është e ndaluar në futboll. Gjyqtari urdhëroi sulmuesin e Spezias ta hiqte vathin për të pasur mundësinë për të luajtur pastaj.
Por, kjo doli të jetë e pamundur. Nzola nuk arriti ta hiqte vathin as me ndihmën e stafit të klubit.
Pastaj ai hoqi dorë nga tentativat dhe trajneri Motta e zëvendësoi me Janis Antisten në minutën e 70-të.