Çfarë dënimesh mund t’u shqiptojë FFK-ja klubeve që po paralajmërojnë bojkot shkaku i Kuvendit Zgjedhor
Agim Ademi u ka bërë thirrje 15 delegatëve që e refuzuan pjesëmarrjen në Kuvendin Zgjedhor të FFK-së dje, që të mos i çojnë klubet e tyre në bojkot sepse FFK-ja ka zgjidhje dhe rregullore edhe për një rast të tillë eventual. Por, delegatët i kundërpërgjigjen Ademit, duke thënë se ai nuk mund të flet për rregullore kur vet i ka shkelur ato.
Pasi e mori mandatin e dytë katërvjeçar në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) përmes një Kuvendi të kontestuar, në të cilin nuk morën pjesë 15 delegatë nga gjysma e klubeve të Superligës dhe klubeve tjera të Ligës së Parë, Agim Ademi u bëri thirrje këtyre klubeve që po e kundërshtojnë që ta respektojnë së paku FFK-në si institucion.
15 delegatë dje refuzuan të marrin pjesë në Kuvendin Zgjedhor të FFK-së, të cilin e konsiderojnë të paligjshëm dhe jostatutor.
Ata u bënë thirrje institucioneve tjera relevante që të mos e njohin rezultatin e Kuvendit të djeshëm, pasi thonë se në tërësi ka qenë i “kurdisur” nga Agim Ademi.
Në të kundërtën, 15 delegatët paralajmëruan se do të detyrohen që me klubet e tyre t’i bojkotojnë të gjitha garat futbollistike.
Por, Agim Ademi përmes një paraqitje televizive i paralajmëroi këto klube se FFK-ja ka zgjidhje dhe rregullore për to edhe nëse e zgjedhin bojkotin. “Sa i përket pjesës së tyre për bojkotim të garave, ka zgjidhje, janë rregulloret edhe për atë çështje”, ka deklaruar për Atv Ademi.
Por, çfarë dënimesh parasheh rregullorja e përmendur nga Ademi.
Gazeta Express raporton se Rregullorja Disiplinore e FFK-së për klubet e futbollit parasheh edhe dënime me marrje të pikëve të tubuara në kampionat, diskualifikim nga garat, kthim në një rang më të ulët të garave, heqja e një titulli, ndalimi i transferimit të futbollistëve, ndalim i zhvillimit të ndeshjeve jashtë vendit, sekuestrim i licencës për gara evropiane, mosdhënie e licencës për një afat prej 1 deri në 3 vjet, dhe dënime të tjera.
Gazeta Express kontaktoi me përfaqësues të klubeve që e kanë paralajmëruar opsionin e bojkotit.
Ata thanë se bojkoti nuk është dëshirë e tyre, por mbetet si opsion i fundit që po ua imponon moszbatimi i ligjeve të Republikës së Kosovës në futboll, ku po ashtu thonë se është shkelur me të madhe edhe statuti i FFK-së.
Ata thanë se Agim Ademi tani zgjedh të përdorë frikësimin me dënime për klubet e pakënaqura në mënyrë që t’ua imponojë zgjedhjen e tij kryetar përmes një kuvendi joligjor dhe jostatutor.
“Kryetari i Federatës i përdor të gjitha rrugët dhe mënyrat për të na frikësuar. Por, është ai i pari që i ka shkelur rregulloret dhe nuk mund të thirret në rregullore derisa i shkel vetë ato”, thotë për Gazetën Express, Valon Zymberi, delegat i klubit të madh kosovar, Dritës.
“Ne besojmë që Ministria e Sportit apo institucionet tjera përgjegjëse do të ndërmarrin masa dhe ta shpallin këtë Kuvend të pavlefshëm. Nëse nuk veprojnë kështu, i bie që do t’i hanë fjalët e tyre pasi vetë kanë konstatuar se ka shkelje ligjore e statutore. Pastaj do t’i ndjekim edhe rrugët ligjore. E tek opsioni i fundit është bojkotimi i garave. Nëse nuk ndërmerren masa nga Ministria dhe të tjerët, atëherë ne do të ndihemi të pambrojtur dhe s’kemi rrugë tjetër pos bojkotit”, u shpreh Zymberi.
Ademi mandatin e parë e kishte marrë me përkrahjen e të gjithë delegatëve, të cilët ishin bashkuar rreth tij pas vdekjes së papritur të legjendës, Fadil Vokrri. Kurse mandatin e dytë Ademi e mori me kundërshtime të forta. /Express/