Organet e rendit vizitojnë Departamentin e Sportit, hetojnë donacionet e marra nga FFK-ja
Zyrtarë nga Prokuroria, Policia e krimeve ekonomike dhe Inteligjenca doganore të martën në mëngjes e kanë vizituar Departamentin e Sportit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Këto institucione kanë nisur një hetim për donacionet që Federata e Futbollit e Kosovës i ka marrë nga shteti, përkatësisht MKRS-ja.
Vizitën e organeve të rendit e ka konfirmuar ish-ushtruesi i detyrës së drejtorit të Departamentit të Sportit, Fikret Shatri.
“Kemi pasur një vizitë nga Prokuroria, Policia e krimeve ekonomike, Inteligjenca doganore. Arsyeja e kësaj vizite ka qenë hetimet për donacione të marra të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe organizata të tjera sportive. Ne ua ofruam qasjen në të gjitha dokumentet tona zyrtare. I ofruam bashkëpunim në çdo kohë dhe me 100 për qind transparencë”, ka thënë Shatri të martën për KOHËN. Ai tani është zyrtari i Departamentit të Sportit.
Pikërisht në zyrën e Shatrit kanë qëndruar zyrtarët.
KOHA ka mësuar se hetimet kanë nisur pas dyshimeve se udhëheqësit e FFK-së janë të përfshirë në evazion fiskal, shmangie të detyrimeve tatimore e keqpërdorim të fondeve të FFK-së.