Ikja e paralajmëruar e Dritëro Agollit

Ikja e paralajmëruar e Dritëro Agollit

Ai, vetë, i bindur për afrimin e vdekjes nuk i bishtnonte më fatit, por kishte kohë që e priste i qetë. Gjithnjë e më shumë i pagojë dhe i përhumbur, rënduar nga pamundësia e sëmundjes. Në këtë terren i mbinin ata që e shfrytëzuan për t’i marrë pak nga suksesi i tij. Të bënin bujë. Isha te Dritëroi. Më tha kështu! I thashë ashtu! Në fund rituali ishte i  njëllojtë e mbyllnin me foton, duke e përqafuar. Shtrënguar.  Kjo e fundit (lexo fotoja) mbetej dëshmia se edhe ata ishin pjesë e historisë. Po historia e një individi është e tija, ajo nuk mund të ndahet me askënd. E habitshme se grafomanët e shumtë pa u ndalur në thellësinë, qartësinë dhe idenë e tij të qartë në korpusin letrar u futën në gjëra skajore, por shumë larg këqyrjes së thelbit të vërtetë të veprës së vet.

Në fakt, vepra e Dritëroit duhet të vlerësohet për motivin e madh patriotik dhe blatimin e të gjithë talentit për ta nxjerrë sa më sinqerisht në pah atë.

Im atë tokën shumë e donte,

Siç donte nënë e grua,

Për tokën lodhej dhe rënkonte

Dhe djersën derdhte krua.

Është pak ironi që të thuash se për Dritëroin nuk është shkruar, s’është vlerësuar apo folur sa duhet. E nuk duhet harruar edhe fakti se mesazhet e tij sociale dhe politike nuk u lexuan si duhet, paçka se shumë syresh u shprehën direkt. Kjo e fundit mbase do të mbahet mënd edhe si një nga kokëdhembjet e tij përballë një shoqërie, që e dëgjonte, e mbyste me blicat e pashpirt dhe në fund largohej në ftohtësinë e vet.

Shqipëria me ikjen e pak njerëzve që kanë lënë gjurmë në artin e saj, po humbet pak nga pak atë brez të shkëlqyer autorësh që iu kushtuan nderimit të rrënjëve të saj. Pikërisht ata që ngritën në piedestal artin dhe madhështinë burimore të Shqipërisë, duke i dashur dhe respektuar njerëzit e saj. Mu për këtë të dhimben shumë nga politikanët dhe kinset që e mbysnin me foto, por që nuk dinin të kuptonin se modeli i tyre s’ishte ai njeriu që kishin ata në kokë, por një qenie që frymëzonte vetëm vendin e tij.

Megjithë çfarë mund të thuhet në këto ditë, vepra e Dritëroit mbeti një pikë referimi, pasi  në këtë kohë nihilizmi absolut dhe nderimi të së keqes, ai përcolli vetëm dashurinë, njeriun dhe lumturinë e jetës dhe vdekjes në këtë vend të bekuar:

Im atë tokën shumë e donte,

Siç donte nënë e grua,

Për tokën lodhej dhe rënkonte

Dhe djersën derdhte krua.

Kur plis më plis e hidhte hapin,

I kishte hapi hije

Dhe zogjtë e malit udhë i hapnin

Me fjalë hirësie;

Kur grushtin mbushte plot me farë,

Mahnitej kush e shihte,

Dhe era ndalte frymën në arë,

Që qejfin mos t’ia prishte;

………………………………..

Po ati im mbi plisat ecte

Me shpirt të madhërishëm

Dhe tokës shpirt me shpirt i jepte

Nga shpirti i çuditshëm…

Sot, vdiq poeti i njerëzve të thjeshtë dhe jo ai Dritëroi, që do ta ngrenë në apoteozë kinset dhe do ta vajtojnë grupi i njerëzve-vajtovicë, që mezi presin të vdesë dikush që të evidentojnë veten e tyre. (Javanews)

 

Shpërndaje në: