E vërteta e fotografisë virale të Nicole Kidman nuk është ajo që thuhet në rrjet
Është zbuluar e vërteta e fotografisë virale të Nicole Kidman në Oscar.
Shumë përdorues të Twitter-it dyshuan se fotoja ishte shkrepur pasi Will Smith goditi Chris Rock në skenë, por Vulture raporton të vërtetën.
Sipas gazetës, fotografia e Kidman-it është bërë disa orë përpara se Will të godiste Rock-un, duke vënë në dukje se “fotoja po bënte xhiron në rrjet, 26 minuta para se të fillonte transmetimi”.
Edhe pse shprehja e tronditur e Kidman u lidh menjëherë me shuplakën, fotografi që e shkrepi atë konfirmoi se ajo nuk kishte lidhje me sherrin.
Në një intervistë me Vulture, fotografi i Los Angeles Times, Myung Chun tha se fotografia e Kidman “u bë gjatë pjesës jo televizive”.
“Dukej se ajo ishte e emocionuar kur pa Jessica Chastain. Kidman më pas zgjati krahët e saj dhe e përshëndeti” tha Chun, duke shtuar, “Menjëherë pas kësaj, Chastain shkoi për të përshëndetur Kidman dhe bashkëshortin e saj Keith Urban.”
Të dy Chastain dhe Kidman u nominuan për aktoren më të mirë në Oscar. Kidman u nominua për Being the Ricardos, ndërsa Chastain u nominua për The Eyes of Tammy Faye. Chastain fitoi Oscar-in e saj të parë për aktoren më të mirë.