FFK duhet të interesohet për këtë djalë – Blin Kelmendi po “trazon ujërat” në futbollin gjerman
“Mbani mend këtë emër” – Blin Kelmendi do të jetë e ardhmja e futbollit kosovarë.
I lindur në Gjakovë (Kramovik), vend ky me një traditë të gjatë në futbollin e Kosovës, Blini nisi fuqishëm pasionin e tij për këtë sport.
18-vjeçari ka tetë vite që ndodhet në Gjermani dhe nga atje po vazhdon të luajë me shumë pasion dhe dëshirë futbollin nën urdhërat e trajnerëve të dëshmuar, shkruan Periskopi
Mesfushori fantastik ishte dy herë pjesë e Kombëtares së Kosovës U17, ku me paraqitjet e tij bëri që ‘skautët’(persona që përcjellin lojtarët) gjerman të interesohen për ta transferuar atë në klubet e Ligës së Katërt në Gjermani.
Kelmendi aktualisht luan për klubin e grupmoshave U19 në Bayernligë, SV Wacker Burghausen në Gjermani.
Ndërsa, anësori kosovar ka arritur marrëveshje këtë vit me klubin e TSV Buchbach, ku në verë do të luajë ndaj skuadrave të dëshmuara si, Bayern Munchen II, FC Nurnberg II dhe FC Augsburg II.
Periskopi ka kontaktuar me Blin Kelmendin për të kuptuar më shumë për mesfushorin tonë.
Djaloshi kosovar fillimisht tha se nëse Kosova do t’i dërgonte atij ftesë ai do e pranonte me shumë knaqësi e përgjegjësi.
“Nëse unë do merrja një ftesë nga Kombëtarja e Kosovës U21 do e pranoj me gjithë dëshirë dhe do punojna me shumë përkushtim e përgjithësi për ta përfaqësuar vendin tim”, tha fillimisht 18-vjeçari.
Blini tregoi tutje se në rast se do të pranonte ftesë nga Kombëtarja e Gjermanisë para Kombëtares së Kosovës nuk do ta pranonte asnjëherë, pasi ai ka një ëndërr tashmë.
“Jo, unë nuk do e pranoja një ftesë të tillë asnjëherë, unë do luaj për Kombëtaren time, për vendin nga vi unë e prindrit e mi, Kosovën pra”, theksoi ai.
Për fund Kelmendi tregoi ëndrrën e tij që ka dhe mesazhin për tifozët “Dardan” që shumë shpejtë do ta shohin në stadium.
“Ëndrra ime po dihet, të bëhem lojtar profesionist të garoj me lojtarë të mëdhenj, të luaj për ekipe të forta dhe ta përfaqësoj Kosovën. E sa i përket mesazhit për tifozët “Dardan” i them se shumë shpejtë kemi mu pa dhe i falenderoj për që vazhdojnë me mbështet Kosovën”, përfundoi Kelmendi.
Kujtojmë se klubi aktual ku luan Kelmendi ishte skuadër profesionistet që zhvillonte ndeshjet në Bundesliga II./Periskopi/